I ftuar në emisionin “5Pyetjet” të Ilir Babaramos në Report TV, analisti Geron Kamberi komentoi zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve të fundit.
Ai u ndal te sfidat historike dhe institucionale që vazhdojnë të ndikojnë në rrugën e vendit drejt integrimit europian, duke theksuar nevojën për stabilitet të brendshëm dhe rikthim te reformat thelbësore.
“Maqedonia ka qenë gjithmonë peng i një fataliteti historik. Fillimisht për shkak të mosmarrëveshjes për emrin, një konflikt që e bllokoi për vite dhe që vetë përbënte një paradoks: një vend që nuk njihej me emrin e vet. Kërkesa të tilla ringjallin identitete dhe tensione të vjetra. Besoj se qeveria aktuale e Maqedonisë duhet të merret seriozisht me këtë çështje. Ndërmjetësimi diplomatik është i domosdoshëm për të kaluar këtë fazë.
Zgjedhjet e fundit kanë sjellë provokime politike brenda vetë arenës maqedonase. Integrimi europian mbetet ende i largët, sepse edhe për shkak të elementëve jo shumicë në shoqëri, kriteret e vlerësimit janë më të ndërlikuara. Le të mos harrojmë që Maqedonia nuk u pranua në NATO që në vitin 2008.
Pas këtyre zgjedhjeve, nëse nuk duam të shkojmë sërish në zgjedhje të parakohshme, duhet të kthehemi te prioritetet themelore si integrimi. Ka pasur akuza të ndërsjella mes partive, por është koha për të rifokusuar vëmendjen te procesi europian, i cili është bllokuar kryesisht nga vetoja bullgare,” shprehet Geron Kamberi.









