Kosova ndodhet në një situatë të paqartë politike, pasi kanë mbetur vetëm pesë ditë që Albin Kurti, i mandatuar për kryeministër, të prezantojë qeverinë e re dhe të sigurojë shumicën parlamentare. Afati kushtetues për këtë proces skadon më 26 tetor.
Nëse Kurti nuk arrin të formojë qeverinë brenda këtij afati, presidentja Vjosa Osmani duhet t’i japë mundësinë të dytit në rend – Partisë Demokratike të Kosovës. Nëse as kjo forcë politike nuk arrin të formojë shumicën, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Lëvizja Vetëvendosje, me 48 deputetë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka shumicën e nevojshme për të qeverisur vetë dhe ka përjashtuar bisedimet me PDK-në, duke lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Presidentja Osmani ka kritikuar Listën Serbe për pengesa në procesin e krijimit të qeverisë, ndërsa kjo parti serbe ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjet e nënkryetarit serb të Kuvendit.
Në rast të dështimit për formimin e qeverisë, Kushtetuta parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.