Evropa po përpiqet të ulet në tryezën e bisedimeve për paqen në Ukrainë. Disa qeveri, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe me liderin ukrainas Zelensky, kanë përgatitur një plan me dymbëdhjetë pika që do t’i paraqitet Trumpit dhe Putinit. Një sërë propozimesh të ndërtuara për të mos mbetur jashtë diskutimit dhe për t’i dhënë BE-së një rol.
Nisma, e cila deri tani nuk ka marrë miratim nga Uashingtoni dhe Moska, është ndërmarrë fillimisht nga Finlanda. Ishte përgjigjja e parë ndaj telefonatës së javës së kaluar midis banorit të Shtëpisë së Bardhë dhe atij të Kremlinit, e pasuar nga takimi midis manjatit dhe liderit ukrainas. Raporti që Zelensky i bëri krerëve të shteteve dhe qeverive të Kontinentit të Vjetër , në fakt, i kishte alarmuar të gjithë. Linja e Trumpit dukej qartësisht dhe shqetësueshëm e anuar drejt Moskës, veçanërisht për çështjen e dorëzimit të territoreve. Një qëndrim që përmbyste atë më pak të përkulur ndaj “carit” gjatë javëve të fundit. BE-ja atëherë kërkoi të kuptojë se si të ndërhyjë në dialog për të shmangur rrëshqitjen “rusofile” të Shteteve të Bashkuara, pa dhënë njëkohësisht përshtypjen se donte të pengonte kontaktet me Putinin.
Përmbajtja e këtij dokumenti, që pritet të diskutohet edhe nesër në Këshillin Evropian, bazohet në “ngrirjen” e vijës aktuale të frontit dhe ka si pikënisje krijimin e një “komiteti për paqen”, të kryesuar nga presidenti amerikan, që do të kishte detyrën të mbikëqyrë zbatimin e planit. Modeli, pra, është ai i ndjekur për armëpushimin në Gaza.
Sipas evropianëve, Rusia duhet të angazhohet për një armëpushim të menjëhershëm pa depërtime të mëtejshme në territorin ukrainas. Në atë moment do të vazhdohej me kthimin e të gjithë fëmijëve të deportuar në Ukrainë dhe me shkëmbimin e të burgosurve. Kievi do të merrte garanci sigurie, fonde për rindërtimin e dëmeve të luftës dhe një korridor të përshpejtuar për t’u anëtarësuar shpejt në Bashkimin Evropian.
Sanksionet kundër Moskës do të hiqeshin gradualisht, por asetet e ngrira do të ktheheshin vetëm pasi Kremlini të ketë pranuar të kontribuojë në rindërtimin pas luftës të Ukrainës. Moska dhe Kievi do të fillonin më pas negociata për mënyrën e menaxhimit të territoreve të pushtuara. Me një saktësim: as BE-ja dhe as Ukraina nuk do t’i njohin ligjërisht rajonet e pushtuara nga rusët.
Lëvizjet evropiane burojnë nga një nevojë dhe një ndjesi. E para lidhet me domosdoshmërinë për të mos i dhënë Putinit një precedent që do t’i lejonte të ndërmarrë sulme të reja. Tjetra bazohet në bindjen se presidenti rus nuk ka asnjë qëllim të sinqertë për paqe. Për të njëjtin arsye, në fakt, edhe në Bruksel po del pak skepticizëm. Para së gjithash sepse të gjithë e kanë kuptuar tashmë që Moska nuk do ta pranojë kurrë dhe Uashingtoni (sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rutte, ka fluturuar drejt Trumpit) e sheh me dyshim. Dhe më pas sepse disa nga zgjidhjet, si heqja e sanksioneve, ngjallin – për shembull në Komision – më shumë se një dyshim.
Në këtë kuadër, megjithatë, dje në mëngjes dhjetë liderë evropianë – anglezi Starmer, francezi Macron, gjermani Merz, italiania Meloni, polaku Tusk, norvegjezi Gahr Store, finlandezi Stubb, danezja Frederiksen, presidentja e Komisionit von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian Costa – së bashku me vetë Zelenskyn, bënë publike një deklaratë që në një farë mase vendoste premisat e këtij plani dhe sqaronte disa pika.
“Ne jemi të gjithë të bashkuar në dëshirën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – thuhet në tekst. – Ne mbështesim me vendosmëri qëndrimin e presidentit Trump sipas të cilit luftimet duhet të ndalohen menjëherë dhe se linja aktuale e kontaktit duhet të jetë pika e nisjes për negociatat. Ne mbetemi besnikë ndaj parimit se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Sipas tyre, “Ukraina është e vetmja palë që dëshiron seriozisht paqen. Putini vazhdon të zgjedhë dhunën dhe shkatërrimin”. Prandaj Kievi duhet vendosur në kushtet më të mira përpara çdo negociate. Në fakt, nesër Këshilli Evropian pritet të japë miratimin “politik” për përdorimin e aseteve ruse të ngrira dhe gjithashtu për paketën e 19-të të sanksioneve. Të premten, më pas, do të mblidhen sërish të ashtuquajturit “vullnetarë”, të gatshëm të krijojnë një forcë paqeruajtëse në Ukrainë nëse do të arrihet armëpushimi. Por rruga që çon drejt paqes mbetet ende mjaft e gjatë./ La Repubblica








