Kushëriri i Mirel Çokajt, Rifat Çokaj ka deklaruar se ai dyshon se i afërmi i tij është vrarë nga ortaku i parcelës me bimë narkotike kanabis, në Malësinë e Madhe. Duke folur për emisionin “Në Kohë Reale”, në RTSH1 ai tregon detaje lidhur me vrasjen e 40-vjeçarit, Mirel Çokaj, ngjarje e ndodhur më 18 shtator të këtij viti.
“Nuk e kam ditur se çfarë pune bënte. Ka qenë i martuar me një polake në Itali, u nda dhe është kthyer në Shqipëri për të jetuar këtu. Ka dhe një fëmijë, i cili jeton në Poloni.
Sipas deklaratës së Policisë, ai është rrëzuar nga bjeshkët e Kelmendit pasi kishte dalë për gjueti. Por në fakt, ai nuk ka qenë as për gjueti, as nuk i ka rrëshqitur këmba ai kishte një parcelë me drogë të mbjellë në bjeshkët e Kelmendit.
Kam dërguar njerëz atje për ta parë parcelën dhe ata kanë parë bimët, vendin ku ishte strehuar, si dhe disa mjete vaditëse e orendi gatimi.
Pra, gjithçka që lidhej me jetesën e tij katër muajt e fundit atje”, është shprehur Çokaj për emisionin ‘Në Kohë Reale’. Ai vuri në dukje se i vetmi person me të cilin Mireli ka pasur konflikt Mireli, ka qenë ortaku i tij Gëzim Preldakaj.
“Pas çdo investigimi, kushdo që do të hetojë, do të zbulojë se Mireli kishte vetëm një ortak për atë parcelë droge. I vetmi person me të cilin kishte pasur debat, konflikt edhe kohë përpara se të ndodhte ngjarja ishte ortaku i tij, Gëzim Preldakaj.
Di që kishte pasur pakënaqësi për shkak të shërbimeve, për shkak të ruajtjes. Nuk bëhet fjalë për para apo borxhe , ai nuk i kishte borxh askujt. Problemet i kishte vetëm me këtë njeri dhe i gjithë debati sillet rreth kësaj parcele. Për këtë jam shumë i sigurt”, rrëfen më tej Rifat Çokaj.
Si u gjet i pajetë Mirel Çokaj
Rifati ka treguar edhe se si u gjet i pajetë Mirel Çokaj. Ai theksoi se ortaku i tij nuk pranon të rrëfejë se kur ka pasur kontakt për herë të fundit me Mirelin.
“Që të shkosh te parcela ka vetëm një rrugë, ajo që lidh fshatrat. Motra e Mirelit është angazhuar dhe ka thirrur ortakun; ky i fundit ka marrë edhe tre shokët e tij.
Kontaktin e fundit me familjarët e ka pasur në orën 08:30 të mëngjesit. Nëna tregon se atë ditë ai ishte shumë i trishtuar. Ortaku nuk pranon të tregojë se kur ka pasur kontakt për herë të fundit me të. Rreth orës 18:00, ortaku ka shkuar te nëna e Mirelit dhe i ka thënë se ishte i shqetësuar, sepse ai nuk i dilte në telefon.
Më pas, ka dalë me motrën e Mirelit për ta kërkuar. Pak minuta larg vendit ku ndodhej trupi, motra është dorëzuar dhe i ka kërkuar ortakut të vazhdonte kërkimin.
Ortaku ka ecur përpara, e ka gjetur trupin e Mirelit dhe është kthyer te motra duke i thënë: ‘E gjeta.’
Kur e ka pyetur nëse kishte gjetur telefonin, ai i është përgjigjur: ‘E pashë telefonin në rrugë, por nuk e preka. Një nga djemtë që ishte me ta i tha: ‘Ti e preke me shqelm dhe e hodhe në greminë”, shprehet ai më tej për emisionin ‘Në Kohë Reale’./rtsh.al/








