Deputeti i PD, Klevis Balliu, komentoi raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar si një nga konstatimet më të rënda të dekadës: fshirjen e kufirit midis partisë dhe shtetit. Në një postim në Facebook, Balliu shkruan:
“Ky konstatim është dëshmi se Shqipëria ka rrëshqitur përfundimisht drejt modelit të partisë-shtet – një realitet që historia jonë e ka njohur vetëm në periudhat e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, dhe që sot është ringjallur në formën e tij bashkëkohore nën drejtimin e Edi Ramës.”
Ai veçoi Belinda Ballukun si një ilustrim të qartë të këtij modeli:
“Pasqyra më besnike e mënyrës sesi pushteti e përdor shtetin si instrument fushate, ndikimi dhe kontrolli. Me një agresivitet politik të pashoq, Balluku mobilizoi të gjithë aparatin administrativ në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste.”
Balliu shtoi se punonjësit publik u përballën me shantazhe, ndërsa qytetarët janë nën presione mbi shërbimet publike:
“Punonjësit publik u përballën me shantazhe: ose bindje politike, ose largim nga puna; qytetarët me presione mbi legalizimet dhe shërbimet publike, ndërsa klima e frikës dhe varësisë zëvendësoi çdo ndjenjë lirie qytetare.”








