Avokati Kujtim Cakrani është larguar nga seanca paraprake për dosjen Meta, duke kërkuar që gjykata të shqyrtojë më parë kërkesën e tij për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, për shkak të një konflikti interesi.
Ai pretendon se gjyqtarja nuk mund të gjykojë çështjen për shkak të një hetimi të nisur ndaj saj në Greqi dhe lidhjeve me prokurorin Altin Duman.
“Unë vij këtu për të bërë proces të rregullt ligjor. Nëse çmenden prokurorët bashkë me gjyqtarët dhe japin e marrin prova me njëri-tjetrin që nuk ekzistojnë dhe janë të paligjshme, unë s’e kuptoj. Unë i kërkova gjykatës që të mos pranojë asnjë kërkesë të Prokurorisë që të pranojë prova të reja në këtë moment procedurial, por të kthejë dosjen për hetime të mëtejshme dhe prokuroria të bëjë procedurën. Ne të njoftohemi dhe përsëri dosja le të vijë në gjykatë, ne kemi mënyrën e marrjes së provave nga ana e gjykatës. Unë u largova nga procesi se pres që të shprehet gjykata për përjashtimin e zonjës Gjoka. Nuk ka shanse që Irena Gjoka të gjykojë këtë çështje, për shumë arsye nuk mund ta gjykojë; zoti Duman është ndër tre prokurorët që ka firmosur kërkesën për kalimin e dosjes për gjykim. Si mundet Gjoka të japë një vendim kundër Altin Dumanit? Ne kërkojmë që të zëvendësohet me një gjyqtar tjetër. Nuk mund të mendoj se si do të ngrihet zonja Gjoka në mëngjes… Unë nuk po bojkotoj, kam bërë një kërkesë, po pres vendimarrjen e gjykatës se çfarë do të vendosë me zonjën Gjoka.”









