Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një mbledhje me drejtuesit e degëve të PD-së, ku ngriti akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi situatën politike në vend si “diktaturë autoritare”, duke pretenduar se individë të afërt me qeverinë janë të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Ai përmendi emra konkretë dhe shifra, duke u shprehur se i referohej informacioneve nga “agjenci ndërkombëtare të ligjit”.
“Diktaturat autoritare janë të njohura, por ajo që po ndodh sot në Tiranë është më e rrezikshmja. Kjo është një diktaturë që ushqehet nga krimi dhe pastrimi i parave,” tha Berisha gjatë takimit.
Ai shtoi se, sipas të dhënave që pretendon se i ka nga agjenci ndërkombëtare, “një person me lidhje pranë qeverisë” është përfshirë në trafik të lëndëve narkotike në sasi të mëdha.
“Vetëm në një vit, sipas këtyre të dhënave, janë tregtuar dhjetëra tonë kokainë me destinacion vende të ndryshme të Europës. Fitimet nga këto aktivitete, që shkojnë në miliarda euro, përdoren për qëllime elektorale dhe për blerje votash,” u shpreh ai.








