Komisioni i Reformës Territoriale ka nisur punimet sot. PD e bojkotoi. PD kishte njoftuar më herët se nuk do të merrte pjesë në komisione deri në një njoftim të dytë. Në komision u shfaqën dy aleatët Edmond Haxhinasto nga Partia e Lirisë dhe Vangjel Dule nga PBDNJ.
Në rolin e bashkëkryetarit të këtij komisioni, deputeti socialist, Arbjan Mazniku u ndal fillimisht tek rëndësia e këtij grupimi, që është krijimi i institucioneve demokratike që përfaqësojnë qytetarët dhe problemet e tyre. “Objektivi final është që të krijojmë një reformë ku të sigurohemi që të kemi institucione të afta, efiçiente dhe demokratike.
Të sigurojmë që të kemi njerëz, struktura pranë njerëzve, të dëgjojnë problemet e njerëzve, të përfaqësojnë shqetësimet e tyre por të jenë të afta në të njëjtën kohë për të zgjidhur problemet.
Në këto vite buxhetet vendore janë dyfishuar. Borxhet e prapambetura janë ulur me 60%. Një dëshmi e qartë se ka funksionuar në mënyrë efektive e gjithë qeverisja vendore. Mundësia e bashkive për të filluar e për të menduar në terma evropianë ka filluar“ tha ai.









