Demokrati Flamur Noka ka ngritur akuza të forta ndaj Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen.
Ai tha se Shqipëria është kthyer në “narkoshtet” e vetme në Europë dhe se drejtuesit aktualë të policisë janë të lidhur me kartelet kriminale.
“Realiteti i sigurisë publike është drithërues për çdo shqiptar. Ju thatë se është bërë përparim në luftën kundër krimeve të rënda, por ky përparim është vetëm në letër. Nga bandat kriminale, sot janë ngritur kartelet dhe Shqipëria është i vetmi vend në Europë që konsiderohet narkoshtet. Ne nuk kemi më polici shteti, por një narkopolici që i shërben interesave të krimit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është emërtesë e Suel Çelës, ndërsa nëndrejtori për krimin e organizuar, Neritan Nallbati, është emërtesë e kartelit të Troplinit. Flitet për pagesa mujore që këta zotërinj marrin nga kartelet për t’u shërbyer atyre. Edhe kryeministri, kur ju emëroi, nuk ju dha fushë për Policinë e Shtetit, por për adresat dhe gjendjen civile. Sot drejtorët dhe nëndrejtorët nuk i cakton ligji apo vullneti politik, por krimi,” – deklaroi Noka.









