Shqipëria sot hapi grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në. Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka punuar gjithmonë për integrimin në Bashkimin Europian. “Ka ende pyetje se a është real integrimi në BE apo do kemi periudhë si më parë.
Është njësoj sikur shkon në shkollë e të thonë se nuk je aq i mirë dhe nis me këmbëngulje, do të fitosh në fund. Ajo që shqiptarët fitojnë nga ky proces është që fitohet një vend që funksionon me institucione me standarde të BE-së. Ne punonim fort dhe ishim skeptikë më herët. Por asgjë nuk duhet të na ndalë për të bërë realitet Shqipërinë në BE.
Ne jemi besnikë ndaj perandorive. Kjo është e para perandori, me të cilën ne duam të jemi. Ne ishim pro Perandorisë Osmane dhe pro Bashkimit Sovjetik, por ishim me imponim dhe jo me zgjedhje. Këtë herë, jemi me zgjedhje e dëshirë të plotë” tha Rama.
Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos tha se 90% e shqiptarëve e duan vendin në BE dhe se edhe ajo pjesë e vogël pesimiste, është pozitive në kritikën që mund të ketë.
“Mesazhi për qytetarët shqiptarë është se ju jeni ata që duhet të keni sukses në rrugëtimin evropian. Njëkohësisht, është edhe përkushtimi i BE-së. Nuk është e vështirë të jesh pozitiv nga Shqipëria, sepse keni një udhëheqje të fortë.
Te Rama keni udhëheqës që sheh nga e ardhmja. Harmonizimi i Shqipërisë me politikat e sigurisë me BE-në është 100 përqind. 90 përqind e qytetarëve e duan anëtarësimin në BE dhe ka pozitivitet për integrim. Shqipëri, vazhdo kështu” tha ajo.
Ministrja daneze për Çështjet Europiane, Marie Bjerre deklaroi se BE dhe Shqipëria kanë një rrugëtim të përbashkët drejt anëtarësimit të vendit tonë në familjen europiane. “Shqipëria ka bërë përpara në reforma për të qenë pjesë e familjes europiane. Ka ende punë për të bërë, por jemi këtu për të ecur së bashku” tha ajo.









