-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Sadri Ramabaja: Strategjia e re serbe: Zhvendosja e ndikimit nga politika lokale tek Kisha si instrument fetar

Kryesoret

Si Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Institucionet tjera akademike e të sigurisë, në koordinim të plotë me Kishën, pas rikthimit të Listës Serbe në krye të 10 komunave me shumicë serbe, po pretendojnë të zhvendosin vëmendjen nga pushteti lokal tek Kisha dhe të destabilizojë shtetin?

Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Hyrje

Me qëllim që këtë çështje ta trajtojmë në mënyrë analitike, pa rënë në narracione propagandistike, do të aplikojmë një kornizë metodologjike në disa hapa. Kështu besojmë se do ta mbrojmë trajtimin analitik nga subjektiviteti, nga ngarkesat emocionale dhe nga përgjithësimet e paqëndrueshme. Shih për këtë, do të aplikojmë një metodologji analitike në 7 hapa.

Ajo që mund të përshkruhet është një model veprimesh i përdorur në Serbi nga segmente të caktuara akademike, kishtare dhe të sigurisë, i cili është dokumentuar nga studiues të ndryshëm dhe i cili synon në radhë të parë prodhimin e narrativave historike të manipuluara, pastaj konsolidimin e atyre narrativave për përdorim të brendshëm politik dhe në fund shfrytëzimin e tyre për politikë të jashtme destabilizuese në raport me Kosovën.

1. Definimi i qartë i problemit

Fillimisht po saktësojmë disa elemente themelore:
Cili është problemi? (p.sh.: “Përpjekjet e ASHAS [SANU] dhe Qendrave të tjera serbe për revizionizëm historik ndaj Kosovës”).
Cilat janë pyetjet kërkimore? Çfarë narrativash prodhojnë? Cilat institucione janë të përfshira? Çfarë efekti synojnë në politikën e brendshme dhe të jashtme?
Cilët janë kufijtë e analizës? (në këtë rast bëhet fjalë për periudhën pas çlirimit të Kosovës – qershor 1999).

Kjo besojmë se e bën analizën më të matshme dhe të fokusuar.

2. Identifikimi i aktorëve dhe interesave (actor mapping)

Duke identifikuar qartë hartën e aktorëve, duke dalluar me saktësi bartësit e projekteve të veçanta:

  • Institucionet akademike: SANU, institute serbe, universitete;
  • Institucionet kishtare: Sinodi, Episkopatat, media kishtare;
  • Institucionet e sigurisë: BIA, Ministria e Mbrojtjes, strukturat paralele në veri;
  • Aktorët ndërkombëtarë: BE, SHBA, OKB, UNESCO.

Duke përdalluar e përcaktuar interesat e secilit aktor veç e veç; mjetet e ndikimit; qëndrueshmërinë kohore; ndikimin krahasuar me të tjerët…

3. Mekanizmi i “simbiozës”: Akademi – Kishë – Strukturat e Sigurisë

Tradita e bashkërendimit të këtyre institucioneve në Serbi është e vjetër, por në dekadat e fundit ka marrë formë instrumentale.

3.1 Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë (SANU)

  • SANU historikisht ka prodhuar dokumente strategjike që kanë ushqyer politikën shtetërore (p.sh. Memorandumi i saj i vitit 1986).
  • Segmentet kombëtariste brenda saj sot prodhojnë studime pseudohistorike, duke paraqitur Kosovën si qendër “ekskluzive” të identitetit serb dhe duke e delegjitimuar praninë shqiptare si “të vonshme” ose “jo-autoktone”.
  • Ata shpesh përdorin metodologji ahistorike: zgjedhin burime selektive mesjetare, anashkalojnë të dhënat osmane, etnografike dhe demografike moderne, duke krijuar një narrativë teleologjike që shpie drejt pretendimeve territoriale.

Pavarësisht pozicionit të minoritetit serb në Kosovë si më i privilegjuar në në nivel europian e botëror (p.sh., kuota të garantuara përfaqësimi në parlament, organet shtetërore, rajonale dhe lokale të qeverisjes, dhe shto këtyre edhe fonde të mjaftueshme për projekte kulturore dhe të tjera), Lista Serbe si instrument i Vuçiqit në Kosovë vazhdimisht vepron nga një pozicion i cenueshmërisë së supozuar duke u thirrur në ekstremizmin e supozuar të Qeverisë Kurti dhe duke promovuar qëndrime politike që përputhen qartë me axhendën e Beogradit, e që ka të bëjë me realizimin e platformës “Bota serbe”.

Sipas të dhënave dhe treguesve të disponueshëm publikisht, kjo strategji duket se është zhvilluar nën kujdesin e institucionit shkencor dhe kulturor serb, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Objektivi i saj kryesor është rivendosja e ndikimit serb në kohë paqeje dhe mbështetja e fuqive perëndimore në realitetet e reja gjeopolitike të pritshme gjatë kornizimit të Rendit të Ri Botëror në lindje.
““ Në këto qarqe besohej se Serbia, duke rifituar legjitimitetin që kishte humbur për shkak të luftërave pushtuese dhe krimeve, do të ishte në gjendje të rivendoste politikat dhe interesat e saj për zgjerimin e ndikimit të saj dhe bashkimin e komunitetit serb në shtetet pasardhëse të Jugosllavisë, pra në “Botën serbe”.1

3.2 Në emër të “Botës Serbe”

Platforma e Kuvendit të Madh Serb [qershor 2025] dhe e Establishmentit serb është e qartë. Ata synojnë të rivendosin pozicionin serb në Kosovë në dritën e zhvillimeve të reja gjeopolitike që tashmë, pas shtrirjes së sovranitetit në veri – domethënë, me funksionalizimin e Republikës dhe humbjen e shpresave për aneksimin e veriut, qoftë në emër të “ripërkufizimit të kufijve” apo projektit të “Ballkanit të hapur”. Kjo, pretendohet në Beograd, do të arrihet përmes projekteve kulturore dhe politike (qendra kulturore në Kosovë, ngjarje, etj.), mbështetjes mediatike dhe argëtuese, depërtimit ekonomik dhe forcimit politik, duke u rreshtuar krah atyre forcave politike kosovare që Listën Serbe nuk e shohin si problem, por Qeverinë Kurti! Objektivi: krijimi i një qeverie të opozitës tok me Listën Serbe dhe rivendosja e ndkimit serb në vendimmarrje. Qëllimi është që serbët të ngrihen nga një pakicë kombëtare përsëri në statusin e një populli konstituiv.

3.3 Kisha Ortodokse Serbe (KOS)

  • KOS-i ka funksionuar si institucion mbikombëtar i identitetit serb; Kosova për të është simbolikisht “Jerusalemi serb” – narrativë teleologjike;
  • Retorika kishtare shpesh shndërrohet në instrument politik, dhe kleri i nivelit të lartë e amplifikon narrativën e rrezikut [“srpska svetinja je ugrožena” – Vendi i shenjtë serb është nën kërcënim], duke gjeneruar një klimë emocionale që legjitimon politika të ashpra.

Literatura e studimeve të fesë/diplomacisë tregon se Kisha Ortodokse Serbe shpesh funksionon si aktorë me legjitimitet moral dhe rrjet diplomatik, të cilët mund të influencojnë opinionin e brendshëm dhe politikën e jashtme (p.sh., përmes narrativave rreth “shenjtorive” në Kosovë). Kjo gjendje e bën Kishën mjet të natyrshëm për të zëvendësuar instrumentet politike kur ato reduktohen (p.sh. pas humbjes së pushtetit lokal).2

Pas pranim-dorëzimit të pushtetit lokal, në afatin ligjor, ndërkohë në duart e përfaqësuesve të Listës Serbe, ka paralajmrime nga analistë serb [Dushan Janjiq…] se radha për veprim strategjik ndërlidhet me aplikimin e Mrrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me pozitën e Kishës Srbe në Kosovë, respektivisht impenjimin e pretenduar të Serbisë në zonat që ata pretendojnë t’i shndërrojnë në ekstraterritore brenda Republikës së Kosovës.

Retorika e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) – sidomos ajo e episkopatit të lartë – nuk është thjesht diskurs fetar, por komunikim politik i koduar. Narrativa “srpska svetinja je ugrožena” (vendi i shenjtë serb është nën kërcënim) funksionon në disa nivele:

a) Mobilizim emocional

  • Përdor mitin e Kosovës si qendër të identitetit serb.
  • Krijon ndjenjën e rrezikut të menjëhershëm dhe e përqendron opinionin tek “mbrojtja e shenjtërive”. Në këtë linjë duhet deshifruar deklaratën e politikanit serb nga Mitrovica, Dragisha Milloviq, i cili është nënkryetari i Listës Serbe, kur shprehet se “Kosova do të sulmojë serbët”.
  • Legjitimon politika të ashpra në emër të “detyrës shpirtërore”.
b) Delegjitimim i institucioneve të Kosovës
  • Përshkruan shtetin e Kosovës si “rrezikues i kishave”.
  • Synon të pastrojë hapësirë politike për Serbinë që të ndërhyjë si “mbrojtëse”.
c) Përforcim i pretendimit territorial
  • Narrativa fetare shndërrohet në argument politik për mospranimin e sovranitetit të Kosovës në zona të caktuara.
3.3.1 Pse retorika kishtare bëhet më agresive pas pranimit të pushtetit lokal nga Lista
Serbe?

Ndryshimi institucional në veri të Kosovës – ku strukturat lokale po kalojnë gradualisht në juridiksionin kushtetues të Kosovës – krijon një humbje të levës politike të Serbisë në terren. Si pasojë, diskursi zhvendoset nga kontrolli i pushtetit lokal tek kontrolli i pronës dhe statusit të Kishës.

Listës Serbe po i zvogëlohet instrumenti kryesor i ndikimit politik: pushteti lokal. Prandaj, fokusi i ri mund të bëhet:

  • prona e KOS-it,
  • juridiksioni i manastireve,
  • ndikimi përmes zonave të mbrojtura.

Ndryshimi i qendrës së gravitetit politik është i qëllimshëm: kur bie kontrolli nëpërmjet pushtetit lokal, Serbia aktivizon instrumentin fetar si burim alternativ të sovranitetit informal.

3.3.2 Paralajmërimet e Dushan Janjiqit dhe analistëve tjerë serbë

Analistë seriozë në Serbi – përfshirë Dushan Janjiqin – kanë paralajmëruar vazhdimisht se manastiret dhe komplekset kishtare në Kosovë po përdoren si pika të reja të konfrontimit politik. Shih për këtë, Serbia mund të kërkojë status special për to; madje mund të synojë krijimin e zonave me regjim juridik të veçantë, në praktikë ekstraterritoriale.

Sipas studjueses serbe Jelena Jorgaceviq, besimtarët në pakicën serbe, megjithatë, preferojnë murgjit dhe priftërinjtë para politikanëve të tyre.3
E njëri prej këtyre murgjëve gjatë një udhëtimi të zonjës Jorgaceviq në Kosovë me karkater pune në fillim të nëntorit 2025, nuk kishte ngurruar t’i thotë shqeto: “Lufta është një konstante gjatë gjithë historisë, ajo do të vijë përsëri. Por aty ku ka vuajtje, ka edhe martirë në mbretërinë e qiellit.”4

3.3.3 Çfarë do të thotë “status ekstraterritorial”?

Në praktikë, do të nënkuptonte:

  • juridiksion të kufizuar të Kosovës në zonat rreth manastireve;
  • prezencë “të autorizuar” të strukturave serbe (si këshilltarë të fushave të ndryshme, instruktorë/e “punonjës” kulturore ose “komesar për morl”, siç do të mund të cilësoheshin ca prej klerofashistëve në uniformë të murgjve që bredhin nga një manastir tek tjetri);
  • pengim të kontrollit të plotë të policisë dhe gjyqësorit të Kosovës;
  • krijim të “ishujve juridikë” të Serbisë brenda shtetit të Kosovës.

Kjo nuk është thjesht çështje fetare, por strategji politike e sofistikuar nën petkun fetar.

3.4 Institucionet e Sigurisë (BIA, strukturat e Mbrojtjes, etj.)
  • Pjesë të aparatit të sigurisë përdorin narrativat akademike e kishtare për të justifikuar:
    • fushata dezinformuese,
    • ndikim në komunitetin serb në Kosovë,
    • instrumentalizim të strukturave paralele,
    • tensione periodike në veri të Kosovës,
    • lobim ndërkombëtar kundër shtetësisë së Kosovës.

4. Metodat konkrete të falsifikimit dhe rishkrimit të historisë moderne të Kosovës

a) Revizionizmi historik i organizuar
  • Botime “akademike” që mohojnë spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë shekullit XX.
  • Interpretime që paraqesin Kosovën si territor “të humbur padrejtësisht pas vitit 1999”, duke shmangur kontekstin e luftës, krimeve, represionit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare.
  • Përpjekje për “serbizimin” e toponimisë dhe mohim të trashëgimisë kulturore shqiptare.
b) Manipulimi i faktit historik për qëllime politike
  • Përdorimi i miteve mesjetare si justifikim për pretendime moderne territoriale.
  • Ndërthurja e historisë së kishave/ manastireve me pretendimin se “prania kishtare = sovranitet serb”.
c) Prodhimi i narrativave alternative për ngjarjet e fundit
  • Përpjekje për të relativizuar ose përmbysur faktet si:
    • spastrimi etnik i shqiptarëve gjatë viteve 1998–1999,
    • masakrat e dokumentuara nga Tribunalet Ndërkombëtare,
    • roli i aparatit të sigurisë serbe në strukturat kriminale në Kosovë pas luftës.
ç) Dezinformatat sistemike në mediat serbe
  • Mediat e mëdha (nën ndikimin e qeverisë) amplifikojnë narrativat e SANU dhe KOS.
  • Shpesh shpërndahen lajme të rreme për “kërcënime ndaj serbëve”, të cilat prodhojnë frikë kolektive dhe justifikojnë ndërhyrje të strukturave paralele.
5. Objektivat strategjikë të këtij aparati propagandistik
5.1 Destabilizimi politik në Kosovë

– Krijimi i tensioneve të vazhdueshme në veri;
– Përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike;
– Komprometimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.

5.2 Ndikimi në opinionin ndërkombëtar

– Synohet krijimi i dyshimit ndër aktorët ndërkombëtarë për legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës, duke mbjellë narrativën “çështje e pazgjidhur historike”.

5.3 Ruajtja e kontrollit politik në Serbi

Narrativa për Kosovën përdoret si mjet për mobilizim elektoral dhe për të neutralizuar opozitën e brendshme. Kjo strategji do të aplikohet sidomos në prag të trazirve të pritshme serbe në dhjetor në Beogrd dhe qendrat tjera urbane gjithanddej në Serbi.

5.4 Parandalimi i integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor

Serbia çdo proces integrues që e konsolidon sovranitetin e Kosovës e sheh si rrezik për projektin hegjemonik të saj.
Interesi i Serbisë për të penguar ose ngadalësuar integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor nuk është interes i ri, por strukturor, i rrënjosur në tri shtylla të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme:
(1) orientimi gjeopolitik i Serbisë,
(2) strategjia për Kosovën,
(3) balancimi midis Rusisë dhe Perëndimit.

Studimet klasike mbajnë për titullar SANU (Memorandumin e vitit 1986 dhe rrjedhimet e tij) si pikënisje për konsolidimin e një diskursi që e paraqet Serbinë si viktimë historike — diskurs i cili do të shërbejë si bazë për politikë të mëvonshme rreth Kosovës. Kjo linjë e studimeve shpjegon se si legjitimiteti “akademik” i SANU mund të përdoret për narrativa politike që pengojnë normalizimin dhe integrimin rajonal.5

6. Rreziku i krijimit të zonave me status special brenda Kosovës

Nëse Kisha shndërrohet në pikë politike të presionit serb, atëherë rreziku real ka emrin: Fragmentim i sovranitetit të Kosovës, që nënkupton imponimin e krijimit të zonave të caktuara të mbrojtura e që mund të kthehen në modele për ndarje të reja administrative dhe precedentëve për autonomi të zgjeruar.

6.1. Pengim i integrimit euroatlantik

Statuset e paqarta juridike në territor janë gjithësesi pengesë për: integrimin në NATO, avancimin në BE, fuqizimin e rendit kushtetues.

6.2 Instrumentalizim i konflikteve lokale për presion ndërkombëtar

Çdo incident rreth një manastiri mund të shfrytëzohet nga Beogradi si argument për ndërhyrje.

7. Çfarë përbën kundërpeshë efektive ndaj këtij mekanizmi?
  • Institucionalizimi i prodhimit shkencor në Kosovë: institutet, universitetet dhe akademia duhet të prodhojnë studime të standardeve ndërkombëtare.
  • Diplomacia historike dhe kulturore: promovim i narrativave të bazuara në fakte, jo emocione.
  • Arkivat dhe transparenca: digjitalizimi i dokumenteve, qasja ndërkombëtare në to.
  • Ndërveprimi akademik në relacionin Prishtinë-Tiranë dhe në atë ndërkombëtar: krijimi i aleancave intelektuale në botë kundër revizionizmit.
  • Luftimi i dezinformimit në media dhe rrjete sociale.

Shkaku rrënjësor i situatës aktuale në Kosovë padyshim qëndron te fuqitë e huaja me ndikim. Prandaj, zgjidhjet duhet të koordinohen me partnerët tanë strategjik; domethënë, ata duhet të çojnë në një ulje të presionit të jashtëm mbi Kosovëm dhe të sigurojnë që strategjitë gjeopolitike të fuqive të mëdha perëndimore të marrin në konsideratë interesat jetike të Kosovës.

Që strategjia amerikane ndaj dy republikave tona – Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës, por edhe më gjerë ndaj Kombit shqiptar në tërësi dhe Ballkanit Perëndimor, ku ne trajtohemi si pala më proamerikane në rajon, të ndryshojë, pala shqiptare duhet të zhvillojë pozicione të reja, por gjithashtu të demonstrojnë një kuptim më gjithëpërfshirës të situatës gjeopolitike dhe të politikës së jashtme, pra interesat e aktorëve të tjerë të përfshirë, në këtë rast kryesisht të SHBA-së, siç gjykojnë me gjakftohtësi analistë kroat kur trajtojnë këtë rikthim të gjeopolitikës në dobi të rajonit tonë.6

8. Përfundim analitik: Serbia nuk e përjashton as një luftë të re

Përveç veprimeve që i potencuam më lartë, Serbia nuk e përjashton mundësinë që konflikti i ripërtërirë të çojë në një ripërcaktim të pozicionit të serbëve në Republikën e Kosoëvs dhe një rikonfigurim të përgjithshëm të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Për këtë qëllim, Serbia po përgatit intensivisht forcat e veta të armatosura dhe po mbështet gjithashtu rivendosjen e ndikimit serb me theks në veriun e Kosovës dhe Anamoravë, si dhe fortesat e mundshme territoriale të një kryengritjeje dhe rezistence të re serbe kundër instrumenteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.

Krahas kësaj, me pranimin e pushtetit lokal nga Lista Serbe, Serbia pregaditet të zhvendos mjetin kryesor të ndikimit nga politika lokale në instrumentin fetar, duke e përdorur Kishën si burim të legjitimitetit moral, instrument të presionit ndërkombëtar, vektor të pretendimit territorial të maskuar dhe mjet për krijimin e zonave të veçanta juridike brenda Kosovës.

Retorika “vendet e shenjta janë në rrezik” nuk është thjesht diskurs fetar — ajo është strategji politike me synime territoriale dhe gjeopolitike të qarta.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit