Kryesia e Partisë Demokratike është thirrur për një mbledhje urgjente sot në orën 13:00, ku do të diskutohet dhe vendoset data e nisjes së protestave.
Kjo mbledhje vjen pas deklaratave të forta të bërë një ditë më parë nga kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë turit të tij të takimeve me qytetarët në Elbasan, ku ai kritikoi ashpër qeverinë për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.
“Nesër në drekë mblidhet Kryesia e PD-së. Vendoset me urgjencë për fillimin e revoltave dhe protestave”, u shpreh Berisha, duke theksuar se protestat nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë.
Ai shtoi se ka qytetarë të gatshëm për të protestuar që tani. “Edhe nëse janë 3 mijë shqiptarë që nesër dalin të përballen, ne me ta do të ngrihemi. Dhe do të shtohemi. Nuk mund të qëndrojmë më përballë një farse”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar situatën si të papranueshme në një vend demokratik.
Kreu i PD-së bëri gjithashtu thirrje për angazhimin e të rinjve në aktivitetin politik dhe protestues. “Të rinjtë përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës. Duhet të bëjmë gjithçka për organizimin tonë dhe për përfshirjen e të rinjve”, theksoi ai.









