Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka pezulluar programin e lotarisë së kartës së gjelbër (Diversity Visa-DV1) pas sulmit me armë zjarri në Universitetin Brown, ku u vranë dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë.
I dyshuari për sulmin ishte Claudio Neves Valente, 48 vjeç, portugez, i cili kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes programit të llotarisë së vizave në vitin 2017 dhe kishte përfituar kartën e gjelbër.
Ai u gjet i vdekur të enjten, 18 dhjetor, në një depo në Salem, New Hampshire, pasi dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka deklaruar se programi është pezulluar me urdhër të Trump për të “siguruar që asnjë amerikan tjetër të mos dëmtohet nga ky program”.
Në fakt, Trump ka tentuar ta mbyllte skemën e lotarisë që në vitin 2017, pas një sulmi në New York ku u vranë tetë persona. Autori i atij sulmi, Sayfullo Saipov, kishte hyrë gjithashtu në SHBA përmes DV1, dhe besohet se kishte lidhje me ISIS.
Autoritetet amerikane besojnë se Neves Valente është gjithashtu përgjegjës për vrasjen e profesorit të MIT-it, Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Brookline, Massachusetts, dy ditë para sulmit në Brown. Të dy kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve ’90.
Hetuesit arritën ta identifikonin të dyshuarin pasi e ndoqën për 6 ditë në disa shtete, duke përdorur pamje kamerash sigurie dhe informacione nga publiku. Një automjet i marrë me qira kishte lidhje me të dyja ngjarjet e rënda.
Presidentja e Universitetit Brown, Christina Paxson, tha se Neves Valente kishte qenë student doktorature në fizikë në këtë universitet në vitet 2000-2001, por nuk kishte asnjë lidhje aktualisht me institucionin.
Dy studentët e vrarë në sulmin në Brown janë identifikuar si Ella Cook, 19 vjeçe nga Alabama, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç.
Motivi i sulmeve mbetet ende i paqartë.









