Dalin detajet e reja nga sherri për heqjen e tendës në hapësirën publike në Vlorë mes qytetarëve dhe një grupi të punonjësve të IMT-së.
Është publikuar foto e efektivit të Policisë Rrugore në Vlorë, i cili ditën e sotme u dhunuar nga disa persona, pasi tentoi që të shuajë një sherr mes disa qytetarëve dhe punonjësve të IMT-së Vlorë.
Nga fotoja e siguruar, efektivi ka pësuar dëmtime në kokë, teksa shfaqet i gjakosur.
Ndërsa mësohet se personi që ushtroi dhunë së bashku me familjarët e tij ndaj efektivit të policisë Rrugore, drejtorit të IMT-së Vlorë dhe inspektorit, është punonjës i Policisë Bashkiake të Vlorës.
Bëhet me dije se polici bashkiak ka dhunuar fillimisht drejtorin e IMT-së dhe inspektorin, pasi këta të fundit, tentuan që të lironin hapësirën publike duke i hequr tendat e lokalit, i cili ndodhet në hyrje të qytetit të Vlorës.










