Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Komitetin e Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga moti i keq që ka përfshirë vendin dhe rajonin.
Gjatë mbledhjes, ai ka theksuar nevojën për veprime të koordinuara dhe për solidaritet në përballimin e pasojave të reshjeve të dendura dhe kushteve atmosferike të vështira që po përjetojmë.
“Tek vështirësia e rritur e qarkullimit, apo deri te dëmtimet e pronës, krijohet frustrim dhe në disa raste zemërim. Durimi është i domosdoshëm, nuk po përjetojmë vetëm mot të keq. Shiu nuk ndalet me shpifje, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta. Retë nuk shpërndahen me slogane, që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Këto reagime ushqejnë ndarje, jo siguri. Njerëzit nuk janë në nevojë për më shumë britma, shpifje, por solidaritet. Kjo është gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë. Ka prekur një hartë të tërë, nga Italia në Greqi, Mali i Zi në Kosovë, nga RMV e deri në Turqi, i njëjti shi, e njëjta dëborë kanë krijuar të njëjtën situatë. Është krijuar një vobull atmosferike, duke sjellë temperatura të ulëta.”









