Situata në sektorin e blegtorisë po tensionohet gjithnjë e më shumë, teksa fermerë nga zona e Myzeqesë paralajmërojnë se po mbeten pa rrugëdalje për shitjen e qumështit.
Sipas tyre, ndryshimet e njëanshme në kushtet e grumbullimit nga një kompani e madhe përpunimi kanë vënë në rrezik serioz vazhdimësinë e aktivitetit të tyre dhe mbijetesën ekonomike të familjeve rurale.
Erion Braçe reagoi duke deklaruar se kjo situatë nuk është e rastësishme, por pasojë e politikave fiskale dhe ndërhyrjeve shtetërore që, sipas tij, kanë deformuar tregun.
“Po ndodh një gjë që unë e kisha paralajmëruar. Skema e tatimit mbi vlerën e shtuar favorizon importin dhe, së bashku me aksionin kundër informalitetit, ka goditur pikat e vogla dhe të mesme të grumbullimit, duke lënë fermerët të pambrojtur dhe të detyruar të pranojnë çmimet që diktojnë fabrikat e mëdha. Ky pretendim për aflatoksinë duket më shumë si një justifikim për të orientuar industrinë drejt lëndës së parë të importuar, ndërsa prodhimi vendas mbetet i papërdorur dhe pa mbështetje institucionale. Rrënimi i baxhove ka krijuar një vakum në treg ku fermerët janë në mëshirë të kompanive të mëdha, dhe kjo situatë po shkatërron të ardhurat dhe jetesën e tyre,” tha Braçe.









