Dritan Palnika, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Bujqësisë, është thirrur për t’u pyetur nga SPAK si pjesë e hetimeve mbi sulmin kibernetik ndaj këtij institucioni.
Hetimet e SPAK kanë fokusuar lidhjet e tij me Agim Ismailin, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, i cili akuzohet për përfshirje në një grup kriminal të dyshuar për hakerimin e sistemeve të SPAK dhe nxjerrjen e informacionit të ndjeshëm të lidhur me figura të politikës dhe biznesit.
Palnika ka lidhje familjare të ngushta me Ismailin, dhe hetuesit dyshojnë se ky i fundit mund të ketë kaluar informacionet e siguruara nga sulmi kibernetik tek kushëriri i tij, Dritan Palnika. Ky zhvillim ka tërhequr vëmendjen e SPAK, i cili po heton rolin dhe përfshirjen e mundshme të Palnikës në këtë skemë.
Agim Ismaili është tashmë i përfshirë në një proces gjyqësor, ku akuzohet për organizimin dhe përfshirjen në aktivitete kriminale, përfshirë ndërhyrjet e paligjshme në sisteme kompjuterike dhe shpërndarjen e të dhënave hetimore. GJKKO ka nisur hetimet për këtë çështje, e cila ka goditur seriozisht sistemin e drejtësisë.
SPAK vijon hetimet për të zbardhur çdo aspekt të sulmit dhe për të mësuar nëse ky veprim ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve të drejtësisë.









