Gjatë seancës së sotme në Parlament, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bllokuar foltoren dhe ka shkaktuar tensione me një deklaratë të ashpër ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur atë “palloshi i Belindës”.
Berisha, i cili po fliste për anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, u largua nga temat e diskutimit dhe e sulmoi personalisht Ramën, duke shkaktuar reagime të forta në sallë.
Kryeparlamentari Niko Peleshi ndërhyri menjëherë, duke paralajmëruar Berishën të largohej nga foltorja nëse vazhdonte me fjalët ofenduese.
“Kjo seancë është për të diskutuar çështje të rëndësishme, si marrëdhëniet tona me SHBA dhe vlerësimin për proceset ndërkombëtare, jo për të përdorur fjalor të tillë,” tha Peleshi, duke e paralajmëruar Berishën për masa disiplinore.
Berisha u përgjigj, duke shtuar: “Nxirr Belindën jashtë, Belinda e ka quajtur ‘pallosh’, jo unë,” duke theksuar se fjalët nuk ishin të tijat, por ishin thënë nga një tjetër person. Pas këtij momenti, Peleshi i bëri thirrje Berishës që të mbante qëndrime të tilla brenda kufijve të etikës parlamentare.









