Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për tentativën e tij për të “tundur” një ftesë që Shqipëria mori për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, duke e paraqitur atë sikur të ishte një ftesë personale e tij.
Berisha theksoi se ky ishte një tjetër provë e dështimit të qeverisjes së Ramës dhe shtoi se ai është “i padëshiruar” jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenën ndërkombëtare.
“Dita e djeshme faktoi edhe njëherë të dashur qytetarë dhe qytetare se e vetmja shpresë e këtij vendi, e vetmja shpresë e këtij kombi, e vetmja shpresë e të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë jeni ju. Jemi në kilometrin e fundit. Me guxim dhe besim, të vendosur të bëjmë çdo gjë për përmbysjen e këtij regjimi. Nuk ka shok në botë, tëra institucionet bëhen mur korrupsioni. Katër, edhe gjykata me ta. Institucionet më të larta të shtetit. Të turpit. Të kleptokracisë. Të narkoshtetit. Në të gjithë terminologjinë botërore të formave të shtetit, shtetit aktual të sotëm në Shqipëri i përshtatet më shumë se çdo gjë tjetër, shtet i kakistokracisë. Nga greqishtja e lashtë, më i keqi. Dhe ky është më i keqi. Ndaj qytetarë, të bashkojmë forcat dhe t’u tregojmë vendin. Bota po u tregon vendin këtyre në mënyrën më të vendosur. Edi Rama, i cili tundi një ftesë që i erdhi Shqipërisë, nuk e gëzoi dot. Përkundrazi. Mos guxo, nuk do të shoh surratin, ky ishte mesazhi. Dhe vinte në parlament i shpërfytyruar. E patë vetë ju qytetarë, shiheni prapë se si qëndronte i shpërfytyruar. Në një kohë kur mblodhi parlamentin ku të firmoste, të thoshte se parlamenti ratifikoi. Por boja iu tha në penë. Mbeti siç është, i padëshiruar në Europë dhe në botë,” tha Berisha.









