Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka vënë edhe një herë në pikëpyetje nëse aleatët e NATO-s do të “ishin aty” nëse Shtetet e Bashkuara “do të kishin ndonjëherë nevojë për ta”, duke pretenduar se trupat e aleancës “qëndruan pak më larg” nga vijat e frontit në Afganistan.
“Gjithmonë kam thënë, ‘A do të jenë atje, nëse do të na nevojiteshin ndonjëherë?’ Dhe kjo është me të vërtetë prova përfundimtare. Dhe nuk jam i sigurt për këtë. E di që do të kishim qenë atje, ose do të ishim atje, por a do të jenë ata atje?” tha Trump të enjten në një intervistë me Fox News në Davos të Zvicrës.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, SHBA-të u bënë anëtari i parë dhe deri më tani i vetëm i NATO-s që thirri Nenin 5, i cili thotë se një sulm kundër një anëtari është një sulm kundër të gjithëve. Për 20 vjet, aleatët e NATO-s dhe vendet e tjera partnere luftuan përkrah trupave amerikane në Afganistan – një sakrificë që Trump e ka minimizuar vazhdimisht.
“Nuk kemi pasur kurrë nevojë për ta. Nuk kemi kërkuar kurrë asgjë prej tyre. E dini, ata do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan, ose këtë apo atë. Dhe ata e bënë – qëndruan pak më larg, pak larg vijave të frontit”, tha ai.
Komentet e presidentit kanë zemëruar aleatët e SHBA-së në NATO, duke ardhur në fund të një jave në të cilën ai e ka tensionuar rëndë aleancën përmes kërcënimeve të tij të përsëritura për të marrë kontrollin e Groenlandës, një pjesë autonome e Danimarkës, një tjetër anëtare e NATO-s.
Ndërsa në terma absolutë, SHBA-të humbën shumë më tepër trupa se çdo vend tjetër i NATO-s në Afganistan, disa vende evropiane – me popullsi shumë më të vogël se SHBA-të – humbën pothuajse po aq trupa në terma relativë.
Rreth 3,500 trupa aleate vdiqën në konflikt, nga të cilët 2,456 ishin amerikanë dhe 457 ishin britanikë. Danimarka, me një popullsi prej rreth 5 milionë banorësh kur filloi pushtimi, humbi më shumë se 40 trupa.









