“U bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”! Kështu deklaroi sonte Sali Berisha nga protesta kombëtare e organizuar përpara Kryeministrisë.
“Edi Rama përdori burgjet, trillimet, manipulimet dhe lobimet e korruptuara për të realizuar projektin e tij të turpshëm, Shqipërinë pa opozitë. Por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë.
Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë. Ka qenë një maratonë e gjatë, e mbushur me dhunën e narko-shtetit, me sakrifica dhe përballje të egra. Megjithatë, që në kilometrat e parë i dëshmuam shqiptarëve dhe botës se Shqipëria pa opozitë ishte turpi i historisë dhe se ne kurrë nuk do ta pranonim, pavarësisht çdo çmimi.
U ngritëm si feniksi nga hiri dhe sot kemi arritur në kilometrin e fundit si forca më e mbështetur nga shqiptarët. Plagosëm për vdekje bishën e narko-diktaturës dhe sot, në këtë protestë madhështore, jemi më të vendosur se kurrë drejt fitores” tha ai.









