Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar, duke deklaruar se 11 policë janë plagosur në protestën kombëtare të Partisë Demokratike. Gjithashtu, ka bërë me dije se 23 persona janë shoqëruar, duke sqaruar edhe shoqërimin e një të mituri.
Berisha: Adoleshenti u arrestua duke dalë nga xhamia pasi kishte falë namazin
Njoftimi i Policisë
Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës. Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.
Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.
Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.









