Një operacion i gjerë antidrogë është duke u zhvilluar në Athinë, ku autoritetet greke kanë shkatërruar një rrjet të trafikut të narkotikëve që operonte brenda Kampusit të Universitetit Zografou. Aksioni ka çuar në arrestimin e katër personave, përfshirë dy shqiptarë, të cilët jetonin në konviktet studentore të universitetit.
Operacioni nisi të premten nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë dhe ka sjellë sekuestrimin e sasisë së kanabisit dhe një shume të madhe parash që kalon 20,000 euro.
Hetimet kanë zbuluar se droga shpërndahej brenda dhe përreth kampusit, duke përfshirë konvikte dhe zona të tjera të afërta me universitetin.
Ky aksion i autoriteteve greke është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar trafikimin e drogës dhe organizatat kriminale që kërcënojnë sigurinë publike. Operacioni është ende në proces, dhe priten të tjera zhvillime në ditët në vijim.









