Publikimi i ri i 3.5 milionë dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein rikthen në pah një nga skandalet më të errëta të dekadave të fundit në Shtetet e Bashkuara.
Dokumentet, të cilat përfshijnë email-e, memo të brendshme dhe materiale të vjetra hetimore, nuk përbëjnë në vetvete prova të krimeve, por ato ndriçojnë fushën e kontakteve të Epstein me figura të fuqishme politike dhe financiare.
Përfshirja e Trump dhe akuza për përdhunim
Në qendër të zbulimeve është emri i Presidentit Donald Trump, i cili shfaqet vazhdimisht në dokumentet e FBI-së.
Një nga pikat më të përfolura është një korrespondencë e brendshme nga viti 2025, e cila regjistron një listë ankesash në lidhje me Trump dhe marrëdhënien e tij me Epstein. Vetë autoritetet e bëjnë të qartë se këto ankesa janë të pakonfirmuara, shumë prej tyre bazohen në informacione të dorës së dytë dhe në disa raste nuk ka pasur kontakt me ata që i kanë paraqitur ato.
Pavarësisht seriozitetit të përmbajtjes, autoritetet nuk kanë ngritur akuza kundër Trump për krime që lidhen me Epstein, një fakt që nënvizohet edhe nga Departamenti i Drejtësisë. Vetë Departamenti paralajmëron se dosjet mund të përmbajnë informacione të rreme ose mashtruese, të cilat po publikohen për shkak të ligjeve të transparencës dhe jo sepse janë konsideruar të besueshme.
Me interes të veçantë janë emailet e vitit 2011 që duket se lidhen me Ghislaine Maxwell, ish-partneren dhe bashkëpunëtoren e Epstein, e cila është dënuar për trafikim fëmijësh. Në to, Maxwell dhe Epstein diskutojnë strategjinë për t’u marrë me një akuzë nga një grua që punonte në Mar-a-Lago, madje duke iu referuar edhe përfshirjes së mundshme të Trump. Provat lidhen me rastin e Virginia Giuffre, një nga akuzueset më të shquara të Epstein.
Përveç Trump, dokumentet e sjellin përsëri në plan të parë ish-Presidentin Bill Clinton, i cili shfaqet në dëshmitë e Epstein, por pa ndonjë akuzë të re. Clinton ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje dhe thotë se i ka prerë lidhjet me Epstein përpara se të zbuloheshin krimet e tij.
Një element tjetër i rëndësishëm i zbulimeve është një draft i vjetër aktakuze, sipas të cilit prokurorët kishin marrë në konsideratë ngritjen e akuzave, së bashku me Epstein, edhe për persona të tjerë që dyshohet se lehtësuan veprimet e tij.
Gjithashtu, tronditës është një dokument nga dosja e çështjes Epstein që zbulon se një grua akuzon Donald Trump për përdhunim kur ishte 13 vjeç.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të premten në lidhje me rastin përfshijnë një formular të FBI-së që regjistron ankesën e gruas së referuar si “Jane Doe”. Ajo kishte ngritur më parë padi kundër presidentit amerikan, por i tërhoqi ato pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Rreth 3,200 dokumente, nga 3.5 milionë të publikuara, përmendin emrin e Trump.
Në njërën prej tyre, Epstein thotë se ishte “i zemëruar që Trump ishte ai që i mori virgjërinë Jane Doe” dhe se më pas e abuzoi vetë me të. Këto përshkrime janë në përputhje me akuzat e bëra nga viktima në padinë që ajo ngriti në vitin 2016.
Donald Trump i ka mohuar më parë akuzat e gruas. “Jane Jo” ishte planifikuar të shfaqej në një konferencë për shtyp në Los Angeles në nëntor 2016, por eventi u anulua papritur. Avokatja e saj në atë kohë, Lisa Bloom, tha se klientja e saj ishte shumë e frikësuar për t’u shfaqur në publik.
Tronditje me zbulimet rreth Muskut
Pyetje ngrihen nga referencat për biznesmenë të njohur, si Howard Latnick dhe Elon Musk, të cilët shfaqen në email-e ku diskutojnë udhëtime ose kontakte me Epstein, pavarësisht pretendimeve të tyre se ishin distancuar prej tij.
Në rastin e Musk, dokumentet tregojnë një shkëmbim email-esh në vitet 2012 dhe 2013, në të cilin Epstein përpiqet të organizojë udhëtime në ishullin e tij privat. Në njërën prej komunikimeve, Musk dyshohet se pyet se kur do të bënte “festën më të çmendur”, ndërsa në një tjetër përgjigjet se ka të ngjarë të udhëtojë vetëm me gruan e tij. Nuk është e qartë nga dokumentet nëse Musk e ka vizituar vërtet ishullin dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë konfirmuar ndonjë pjesëmarrje.
Gates dhe Princi Andrew
Referencat për Bill Gates janë gjithashtu veçanërisht të rëndësishme. Dosjet përfshijnë prova që tregojnë takime dhe komunikime të përsëritura midis bashkëthemeluesit të Microsoft dhe Epstein, madje edhe vite pas dënimit të parë të këtij të fundit në vitin 2008. Gates ka pranuar se është takuar me Epstein, duke e quajtur zgjedhjen e tij një “gjykim të gabuar”, ndërsa mohon çdo dijeni ose përfshirje në aktivitet kriminal.
Në një nga dokumentet, Epstein ka krijuar një draft email-i për një letër që do t’ia dërgonte Gates-it, duke i thënë, ndër të tjera, se falë tij kishte gjetur zgjidhje për “sëmundjet seksualisht të transmetueshme” që i kishte marrë nga “gratë e reja ruse” dhe se po i jepte gruas së tij antibiotikë në mënyrë që ajo të mos infektohej vetë.
Në të njëjtën kohë, në lidhje me Princin Andrew, u publikuan foto të tij me vajza të reja të shtrira në dysheme dhe ai sipër tyre. Imazhet janë tronditëse, ndërsa nuk është e qartë se në çfarë gjendjeje është gruaja në tokë.









