Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se do t’i ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Në një mesazh drejtuar anëtarësisë, Abdixhiku ka theksuar se zhvillimet e fundit e detyrojnë të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike.
“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, ka deklaruar ai.
“Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për të udhëhequr me të është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se, sado e vështirë të jetë situata, ai nuk beson se bisedimet për formimin e institucioneve kanë qenë arsyeja e ngutjes për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së.









