Kroacia, Shqipëria dhe Kosova zhvilluan një takim trepalësh në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve, në bazë të një deklarate të nënshkruar në 2025 nga ministrat e Mbrojtjes së tre shteteve.
Përmes një njoftimi, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka deklaruar se në takim u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës.
Ky takim, i zhvilluar në Kroaci, përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakordësuara ndërmjet palëve.
Në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë u mbajt takimi trepalësh në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve në Kroaci. Delegacioni i Republikës së Kosovës u udhëhoq nga Drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës.
Deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.









