Një hap historik për sektorin digjital dhe teknologjik të Shqipërisë po bëhet realitet, pas zgjedhjes së kompanisë izraelite ADC për të ndërtuar qendrën e parë të të dhënave në vend. Projekti, i cili do të ndërtohet në një zonë të lirë tregtare pranë Tiranës, pritet të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe do të bazohen në procesorët grafikë Robin të Nvidia-s. Qendra e të dhënave do të ofrojë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavatë.
ADC është në pronësi të përbashkët të kompanisë Happy Technologies (80%), një kompani e specializuar në siguri kibernetike dhe teknologji kompjuterike, në pronësi të Roi Shaposhnik, Noam Frank, Shlomi Avni dhe Itai Melchior; dhe të kompanisë DIT (20%), një kompani konsulence për qendër të dhënash, udhëhequr nga ekspertët Zvika Friedman, Nir Poltorak dhe Dan Carmi.
Leja për ndërtim u miratua brenda vetëm 60 ditëve. Zona e lirë tregtare TEDA, ku do të ngrihet qendra, është ende në ndërtim, por infrastruktura për furnizim me energji elektrike është vendosur paraprakisht. Po ashtu, kompania kombëtare e energjisë elektrike po ndërton një nënstacion të dedikuar për këtë projekt, raporton Globes.
Qendra e të dhënave do të furnizohet me energji të gjelbër nga burime hidroelektrike, duke e bërë projektin unik në rajon për shkallën e vet të gjelbërimit. Në aspektin financiar, ADC ka siguruar një linjë kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që mbulon 75% të kostos së projektit.
Edhe para përfundimit të ndërtimit, qendra ka siguruar tre klientë kryesorë: kompaninë shqiptare të teknologjisë Infosoft, një kompani gjermane storage dhe një klient qeveritar shqiptar. Sipërmarrësit e qendrës shohin potencial të madh rritjeje me klientë evropianë dhe amerikanë, të cilët kërkojnë qendra për procesim të inteligjencës artificiale të mbështetura nga energjia e gjelbër, duke u bërë një alternativë ndaj qendrave në SHBA, ku ekziston një ngërç në zhvillimin e qendrave të të dhënave dhe centralet elektrike.
Marrëdhëniet Izrael–Shqipëri janë forcuar ndjeshëm në dy vitet e fundit, veçanërisht pas një sulmi kibernetik iranian ndaj Tiranës në 2022, që bëri që Shqipëria të fillonte të përdorte teknologji izraelite për mbrojtjen e qeverisë dhe organizatave private. Gjatë luftës në Gaza, marrëdhëniet mes vendeve u forcuan edhe më shumë, me vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Izrael. Pas marrëveshjes së armëpushimit, kompania izraelite Elbit Systems nënshkroi një kontratë për furnizimin e sistemeve të artilerisë dhe dronëve për ushtrinë shqiptare.
Ky projekt nuk është vetëm një investim ekonomik, por edhe një simbol i bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Izraelit në fushën e teknologjisë, sigurisë kibernetike dhe energjisë së qëndrueshme./ Klantv









