Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu shpalli të konstituuar institucionin ligjvënës, pas zgjedhjes së saj dhe të pesë nënkryetarëve. Depuetët e pranishëm në sallë votuan me 104 vota për pesë nënkryetarët e Kuvendit. Kundër ishin tre, ndërsa gjashtë abstenuan.
Propozimet për nënkryetarë:
- Ardian Gola – Lëvizja Vetëvendosje
- Vlora Çitaku – Partia Demokratike e Kosovës
- Kujtim Shala – Lidhja Demokratike e Kosovës
- Sllvako Simiq – Lista Serbe
- Emillija Rexhepi – komunitetet pakicë joserbe
Albulena Haxhiu e nisi mandatin e saj me një fjalim para deputetëve, gjatë të cilit theksoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
“Të jesh në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh Republikës. Kuvendi është shtëpia e të gjithë qytetarëve tanë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se detyra e saj kryesore do të jetë të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
“Një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe një demokraci të qëndrueshme. Sot në këtë sallë kemi një detyrë të përbashkët: t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri. Kemi dallime, por përgjegjësitë i kemi të përbashkëta”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu paralajmëroi për sot edhe një seancë tjetër – atë për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.









