Kryeparlamentarja e zgjedhur në Kosovë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin e saj facebook ka uruar deputetët për votëbesimin e dhënë në detyrën e kryetares së Kuvendit, duke u shprehur se do ta do ta ushtrojë me integritet, transparencë dhe përkushtim të plotë, detyrën e sapo marrë.
Postimi i Haxhiut
Me konstituimin e institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve, hapim një kapitull të ri bashkëpunimi, angazhimi dhe zhvillimi për Republikën tonë.
Falënderoj deputetët e Kuvendit për mbështetjen e dhënë dhe i siguroj se detyrën do ta ushtroj me integritet, transparencë dhe përkushtim të plotë.
Kuvendi është zemra e demokracisë, hapësirë e debatit konstruktiv, e vendimmarrjes së përgjegjshme dhe e mbikëqyrjes demokratike.
Do të angazhohem që çdo deputet ta ushtrojë mandatin në mënyrë të barabartë dhe që puna jonë të reflektojë interesin e qytetarëve, pa dallim.
Sot, Kuvendi zgjodhi edhe Kryeministrin dhe kabinetin qeveritar, duke kompletuar institucionet e reja ekzekutive.
Pres që bashkëpunimi ndërinstitucional të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik, forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Republika jonë, e ndërtuar mbi sakrificë, forcohet çdo ditë përmes punës, drejtësisë dhe vendimeve në shërbim të qytetarëve.
Related