Që prej 13 janarit, Altin Ndoci rezulton i arratisur dhe në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ndërsa procesi ndaj tij po zhvillohet në mungesë, emri i tij është përmendur disa herë në sallën e gjyqit nga të pandehurit e tjerë, të cilët kanë zbuluar planet e hartuara për eliminimin e tij.
Gjatë dëshmisë për dosjen “Plumbi i Artë”, Henrik Hoxhaj, tashmë i zhveshur nga statusi i të penduarit – deklaroi se kishte marrë porosi për të vrarë Altin Ndocin. Sipas tij, tentativa e parë dështoi për shkak të pandemisë së Covid-19. Porosia, tha Hoxhaj, ishte dhënë nga Erjon Alibej, i akuzuar në të njëjtin fashikull të SPAK dhe njëkohësisht dëshmitar drejtësie.
“Bije shumë në sy”, u shpreh Hoxhaj për situatën e asaj kohe, duke nënkuptuar se ekspozimi i lartë e bënte të pamundur realizimin e planit. Në një përpjekje të dytë, pas arrestimit të Ndocit, u diskutua mundësia e eliminimit të tij brenda burgut.
“Ne jemi interesuar për ta vrarë Altin Ndocin me snajper brenda në burg. Nuredini e diskutonte me mua. Ishte në ëndrrat e Nuredinit, por nuk e kemi realizuar”, deklaroi ai.
Hoxhaj përballet me akuza për disa ngjarje të rënda kriminale të zbardhura nga i penduari tjetër, Nuredin Dumani. Ai ka pranuar pjesëmarrjen në vrasjen e Dorian Shkozës, një krim që, sipas dëshmisë, ishte kërkuar nga Erjon Alibej, i njohur mes të pandehurve me nofkën “Krymi”.
Në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, me dëshmitë e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë – Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase, po hidhet dritë mbi një seri vrasjesh dhe përplasjesh të ashpra mes grupeve kriminale me bazë në Elbasan./JOQ









