Gjykata Penale e Kantonit Basel-Landschaft në Zvicër ka shpallur tre shqiptarë të fajshëm për trafik ndërkombëtar droge dhe i ka dënuar me nga 15 vite burg secili.
Sipas informacioneve nga mediat zvicerane, të dënuarit, të moshave 31, 32 dhe 34 vjeç, u arrestuan pas një operacioni të mirëorganizuar, ku ata tentuan të transportonin një kontejner me rreth gjysmë ton kokainë, e fshehur në thasë me kafe.
Hetimet zbuluan se droga ishte dërguar nga një vend tjetër drejt Zvicrës dhe se të tre të akuzuarit kishin planifikuar mënyra për ta marrë dhe zhvendosur ngarkesën.
Ata tentuan disa herë të gjenin kontejnerin në ambientet e një kompanie transporti në Frenkendorf, por nuk ia arritën qëllimit.
Ngarkesa u lokalizua më vonë në fabrikën e Nespresso-s në Romont, ku u zbulua lënda narkotike, duke çuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë.
Pas hetimeve të mëtejshme, Gjykata e shpalli fajtorë për akuzën e trafikimit të drogës dhe vendosi dënimet për secilin prej tyre.









