Kryeministrja italiane tha se nuk ndan të njëjtat mendime si homologu i saj gjerman për kulturën e MAGA-s në Amerikë.
“Jo, do të thoja se nuk i ndaj kritikat e Merz për kulturën MAGA (Make America Great Again). Këto janë konsiderata politike, secili udhëheqës bën çfarëdo konsiderate që mendon se është e përshtatshme, por kjo nuk është një çështje që shqetëson BE-në”, tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve mbi deklaratat e kancelarit gjerman.
Nga Etiopia, ku po zhvillohet konferenca Itali-Afrikë, kryeministrja italiane shtoi se duhet të bëhen përpjekje për të forcuar më tej marrëdhëniet e Evropës me Shtetet e Bashkuara dhe se “Evropa duhet të kujdeset më shumë për veten, veçanërisht në frontin e sigurisë”.
“E konsideroj të domosdoshme të shfrytëzojmë më shumë atë që na bashkon. Është me rëndësi themelore, veçanërisht për vendet evropiane dhe Italinë”, shtoi Meloni, duke iu referuar gjithmonë marrëdhënieve të BE-së me Shtetet e Bashkuara.
“Evropa duhet të punojë, me qëllim që të bëhet përsëri një lojtar i vërtetë gjeopolitik”, shtoi kreu i qeverisë së Romës.
Së fundmi, në lidhje me “Këshillin e Paqes në Gaza”, Giorgia Meloni njoftoi se vendi i saj do të marrë pjesë në këtë iniciativë si vëzhguese.









