Berat Gjimshiti do të jetë një nga emrat më të ndjekur në merkaton e verës në Itali, sipas mediave përtej Adriatikut, të cilat kanë publikuar lajmin e bujshëm se tre nga emrat e mëdhenj të Serisë A janë gati të firmosin me kapitenin e Kombëtares shqiptare.
Gjimshiti është në vitin e tij të fundit të kontratës me Atalantën, ku padyshim është një pikë fikse e këtij klubi pasi ka hyrë në histori si një nga lojtarët që ka luajtur më shumë me fanellën e tij, duke arritur objektiva të jashtëzakonshëm siç ishte edhe fitorja e Ligës së Europës. Palët nuk kanë gjetur ende akordin për rinovimin dhe kjo ka shtyrë klube të tjera që të kontaktojnë me mbrojtësin i cili është një nga ekspertët e Serisë A dhe njeh shumë mirë kampionatin.
Sipas mediave italiane, në garë ka hyrë Juventusi, që kërkon më shumë eksperiencë në sektorin e prapavijës, duke piketuar pikërisht mbrojtësin shqiptar si një afrim që mund t’i bëjë punë. Në ndjekje të tij është edhe Milani, me Igli Taren i cili kërkon të shfrytëzojë njohjen që ka me të për ta bindur të veshë fanellën kuqezi.
Ndërsa i treti, por jo më pak i rëndësishmi, është klubi i Romës, ku gjendet “mësuesi” i tij, Xhanpiero Gasperini, i cili e njeh më mirë se të gjithë Gjimshitin dhe padyshim ka një lidhje të ngushtë me futbollistin i cili ka arritur kulmin e karrierës pikërisht nën drejtimin e tij.
Ndaj kjo verë pritet të jetë shumë e nxehtë sa i përket të ardhmes të futbollistit të Kombëtares shqiptare, i cili padyshim tashëm ka luksin të zgjedhë alternativa si pakkush tjetër.









