Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me nismën e mazhorancës për ndryshime në Kodin Penal për masën e sigurisë pezullim nga detyra.
Sipas Këlliçit, Rama zyrtarizoi sot një nismë për të miratuar ligj që i siguron imunitet të veçantë vetes dhe ministrave të qeverisë, duke i mbrojtur nga hetimet gjatë kohës që janë në detyrë.
“Nuk lejojmë ‘Bllok’ të ri në Tiranë, 35 vite pas rrëzimit të diktaturës!
Edi Rama zyrtarizoi sot nismën për të mbrojtur me ligj veten e tij, për të mos lejuar hetimin të shkojë te zyra e tij. Me ndryshimet që ka ndërmend të bëjë në kod, ai u jep vetes dhe ministrave imunitet përkundër gjithë frymës dhe nevojës së kohës për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.
Me këtë akt, Shqipëria bën dekada pas dhe ne shndërrohemi ndoshta e vetmja republikë në planet që mbrojmë me ligj vjedhjet e kryeministrit dhe ministrave.
Edi Rama thjesht konfirmoi para qytetarëve se aferat e tij janë të paprecedenta, ai pohoi se hajdutëria e tij është e thellë, e ngritur në sistem kapilar në çdo institucion. Ndryshe, pse do të merrte masa ekstra mbrojtjeje për veten e tij?!
Sipas Edi Ramës, ai dhe ministrat e tij kanë mbrojtje speciale sa kohë janë në këtë detyrë. Ata nuk janë të barabartë para ligjit dhe janë ndryshe nga qytetarët! Ata sipas tij janë mbi ligjin!!!
Ky imunitet i veçantë e bën Shqipërinë një Republikë të Korrupsionit, përpos se tashmë siç njihet si narkoshteti i parë i Europës.
Ai me kartonët e tij të bindur në Kuvend mund ta realizojë këtë gjë, ashtu siç mund refuzojnë kërkesën e SPAK-ut për imunitetin e Ballukut, siç edhe e paralajmëroi.
Por tani sfida u takon njerëzve, qytetarëve. Tani fatet e vendit duhen marrë në dorë nga populli. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që kryeministri ta vendosë me dekret se ligji nuk është njësoj për të gjithë.
Ndaj, mblidhemi të premten, më datë 20, para kryeministrisë, e t’i tregojmë vendin këtij autokrati të korruptuar.
Nuk do ta lejojmë që ai të ndërtojë një ‘Bllok’ të ri privilegjesh e paprekshmërie në Shqipëri, 35 vjet pasi ky vend rrëzoi ‘Bllokun’ e diktaturës dhe fitoi lirinë. Bashkohemi me pasion, me energji, me dashuri për Shqipërinë” tha ai.









