Javën e shkuar kam shkruar mbi paralelizmin e qëndrimeve të maxhorancës në Beograd, të drejtuar nga Vuçiç dhe në Tiranë nga z. Rama, përkatësisht në lidhje me veprimtarinë e Prokurorisë Publike për Krimin e Organizuar (TOK) dhe SPAK-ut tonë. Tani të shohim reagimin e Brukselit në lidhje me këto nisma, që në thelbin e vet synojnë të njëjtën gjë: të mbrojnë elitën politike vendimmarrëse nga hetimet penale, duke përdorur fuqinë numerike të kartonëve në Parlament si mburojë politike dhe duke harruar faktin se prokuroritë speciale janë ngritur nën presionin dhe mbështetjen ndërkombëtare pikërisht për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që kjo elitë politike ka kultivuar në dekada për sa i takon abuzimit me detyrën shtetërore, korrupsionin, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm dhe veprave të tjera penale të lidhura me to.
Tri ditë më parë, agjencia “Reuters”, duke cituar znj. Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin, njoftonte se Bashkimi Europian mund të pezullojë fondet nga një ndarje prej 1.6 miliardë eurosh në formë kredish dhe grantesh për Serbinë, pasi Beogradi miratoi ligje që po “gërryejnë besimin” në angazhimin e vendit ndaj sundimit të ligjit. Reformat për të centralizuar gjyqësorin që hynë në fuqi javën që shkoi, morën kritika nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët i shohin ato si forcim të pushtetit të Presidentit Vuçiç, dobësim të luftës kundër krimit të organizuar dhe minimizim të përpjekjes së Serbisë për t’u bashkuar me BE-në. Në një mënyrë të kombinuar, autoritetet serbe, përfshirë Presidentin Vuçiç dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë hedhur poshtë kritikat e BE-së në lidhje me shqetësimet për “kthim prapa në gjyqësor”, duke deklaruar se i kanë hartuar ndryshimet si reforma të nevojshme për të rritur efikasitetin dhe “për t’ia kthyer gjyqësorin popullit”. Aspektet kryesore të reagimit të autoriteteve serbe përfshijnë retorikën mbrojtëse; ndërmarrjen e një fushate denigruese kundër TOK, veçanërisht pas hetimeve ndaj zyrtarëve të mëparshëm dhe aktualë; injorimin e paralajmërimeve të BE-së, etj. Në rastin e vendit tonë, BE ka theksuar vazhdimisht se pavarësia dhe efikasiteti i SPAK janë gurë themeli të panegociueshëm të reformës në drejtësi dhe një kërkesë kritike për procesin e saj të anëtarësimit në BE. Pas diskutimeve të fundit legjislative dhe tensioneve politike në lidhje me SPAK-un, reagimi i BE-së është karakterizuar nga një mbështetje e fortë për këtë institucion, ndërkohë që ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me përpjekjet për të ushtruar presion politik mbi gjyqësorin.
Kjo shprehet në mbështetjen e palëkundur për SPAK-un në një numër deklaratash zyrtare të ambasadorit Silvio Gonzato, Shefit e Delegacionit të BE-së në Tiranë, të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe të emisarëve të ardhur nga Uashingtoni; shqetësimin në rritje për “presionin e tepërt” mbi sistemin e drejtësisë, veçanërisht reagimet nga degët ekzekutive dhe legjislative pas arrestimeve të profilit të lartë, duke theksuar se përpjekjet në rritje të politikanëve për të ushtruar ndikim mbi gjyqësorin mbeten një “çështje shqetësuese serioze”; paralajmërimet kundër narrativave të “gjyqësorit të kapur”, tërësisht të ngjashme me narrativat kontraverse dhe antidemokratike të vërejtura në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor; fokusimi te llogaridhënia dhe imuniteti, duke i kërkuar Parlamentit të Shqipërisë të veprojë “pa vonesë” mbi kërkesat e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij (psh., në rastin e zëvendëskryeministres B. Balluku), duke theksuar se parlamenti nuk duhet të jetë një “barrikadë” kundër drejtësisë; paralajmërimi në lidhje me çeljen e negociatave se progresi për grupin “Bazat” (kapitulli që përfshin sundimin e ligjit dhe pavarësinë e SPAK-ut) do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave, me paralajmërime se asnjë kapitull nuk mund të mbyllet pa përparim të qartë në këto fronte. Burime të ndryshme konfirmojnë se shqetësimet kryesore të BE-së në lidhje me rastin “Balluku”, përfshijnë çështje të tilla si pengimi i drejtësisë dhe abuzimi i imunitetit, gjë për të cilën KE ka lëshuar një deklaratë të fortë duke i kërkuar Parlamentit të Shqipërisë të “trajtojë pa vonesë heqjen e imunitetit” të saj. Një shqetësim më vete përbëjnë çështjet e ndërhyrjes politike në gjyqësor, gjë që pasqyrohet edhe në raportin e KE të vitit 2025 duke nënvizuar se ndërhyrjet e tilla, si dhe ato politike, mbeten një çështje serioze, ndërsa re fuzimi për të hequr imunitetin shihet si një “goditje e drejtpërdrejtë ndaj reformës në drejtësi”.
Ashtu si në rastin e Serbisë së cilës i kërkohet që të abrogojë ligjet e amenduara të sistemit të drejtësisë përmes të cilave ka goditur rëndë veprimtarinë e TOK në ndëshkimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, edhe në rastin e çështjes “Balluku”, BE-ja ka treguar se kjo çështje është një “provë vendimtare” për progresin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe se mbrojtja e vazhdueshme dhe aktive e Ballukut mund të çojë në pasoja të rënda për procesin e integrimit të vendit në BE.
Gjithashtu, disa shtete anëtare (veçanërisht Gjermania) kanë dhënë sinjale se veprime të tilla mund të shkaktojnë një “prishje” të pashembullt deri më tani të procesit të vetë procesit të pranimit në BE. Nisur nga artikulimet publike të zyrtareve të lartë të maxhorancës së Kryeministrit Rama dhe deklarimeve të tij shihet qartë se në kundërshtim me problematikën e mësipërme tejet serioze si për raportet institucionale brenda vendit, ashtu edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, në radhë janë ndryshimet legjislative për të mbrojtur zyrtarët. Pas një “matjeje pulsi” të opinionit publik, të opozitës dhe të ndërkombëtarëve nga ministri i Drejtësisë A. Lamallari, ishte vetë Kryeministri Edi Rama që në monologun e përjavshëm në ditë pushimi, ka treguar plane për ndryshime legjislative në Kodin e Procedurës Penale për të parandaluar pezullimin e ministrave gjatë hetimeve, një veprim që BE-ja dhe opozita e shohin si një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët e nivelit të lartë nga llogaridhënia.
Ai ka deklaruar se në ditët në vijim do të depozitojë nismën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin e ministres B. Balluku, duke nënvizuar se pushteti gjyqësor nuk mund të ndërhyjë në punën e pushtetit ekzekutiv. Edhe në këtë rast, duket se konfondohet jo pa qëllim parimi dhe personi, duke “njohur” të drejtën e gjykatës “…për të vendosur masa sigurimi për çdo person nën hetim”, por duke nënvizuar “..në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet” si dhe duke hequr paralele imagjinare me pezullimin e mundshëm të Presidentit të Republikës, kryetarit të KLSH etj., si dhe duke nënvizuar këta persona, ndër të cilët bën pjesë edhe ai vetë momentalisht, “mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, (pezullimi – ZP) prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni”.
Tashmë, duke e konsideruar një “boshllëk ligjor” rregullimin e pretenduar në KPP për pamundësimin e pezullimit të funksioneve të padelegueshme, Kryeministri Rama së bashku me kreun e Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe kreun e shumicës parlamentare duket se po hyjnë në një betejë legjislative duke pasur përballë pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë që SPAK-un e shohin si shpresën për të ndërtuar besimin e munguar ndaj institucioneve të shtetit të drejtës, opozitën politike që është pozicionuar kundër prekjes së KPP për ta kthyer Parlamentin dhe ligjin në një mburojë ndaj zyrtarëve të lartë vjedhës të dyshuar të fondeve buxhetore dhe pasurive të vendit, si dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë mbështetur dhe asistuar ngritjen e SPAK-ut për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe kanë mbështetur reformat integrimit të vendit në BE, SHBA-të që janë angazhuar fuqimisht jo vetëm në mbështetjen në vazhdimësi të SPAK-ut dhe për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve për të ndëshkuar korrupsionin dhe krimin e organizuar transnacional.
Në këtë rebys, shumëçka është e qartë, por ashtu si në batutën e njohur të humoristit L. Paja “Po ai që mori lopën, a nuk ka faj fare?” edhe kjo nismë e Kryeministrit Rama nuk i jep dot përgjigje pyetjes së thjeshtë: “Nëse nuk e bëjnë korrupsionin ministrat dhe politikanët e tjerë të lartë që në fshehtësi të plotë vendosin për destinacionin e qindra miliona e miliarda euro të taksapaguesve dhe për të cilin duhen ndëshkuar, atëherë kush e bën korrupsionin: fermerët, të pastrehët, ata që u merret prona për llogari të oligarkëve apo u prishën shtëpitë dhe këtë e marrin vesh në televizor se falë ‘reformave’ të qeverisë së tij do të mbeten në qiell të hapur?”… Ndoshta edhe në këtë rast po ecet sipas fjalës së urtë: “Më mirë të jesh i sigurt se sa të pendohesh”.









