-sidi education-spot_img
20.4 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Zef Preçi: Ministrat me imunitet, të pandëshkueshëm?

Kryesoret

Motivin për këtë opinion e mora nga përpjekjet e mazhorancës që qeveris prej 13 vitesh për të ndalur të pandalshmen, dmth., marrjen si të pandehur të zv.kryeministres Balluku dhe heqjen e imunitetit të saj në funksion të hetimeve penale të nisura nga SPAK-u.

PAK HISTORI…

Rastet e para të regjistruara të mbrojtjes ligjore për funksionet publike datojnë që nga Republika Romake, ku ishte e dënueshme me vdekje sulmi ndaj qytetarëve që merrnin pjesë në tribunat e popullit ose pengimi i funksioneve të tyre (Komisioni i Venecias, 2014). Kodifikimi i vërtetë i imuniteteve daton që nga një seancë e Parlamentit Anglez në vitin 1397, kur Dhoma e Komunave miratoi një projektligj që denonconte sjelljen skandaloze financiare të Mbretit Richard II të Anglisë. Liria e fjalës, e futur në Dhomën e Komunave në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, u konfirmua në Deklaratën e të Drejtave të vitit 1689, e cila mbronte shprehimisht diskutimet dhe aktet e anëtarëve të Parlamentit nga çdo formë ndërhyrjeje ose kundërshtimi nga jashtë Parlamentit. Ndërsa Asambleja Kombëtare Franceze shpalli personin e secilit deputet të paprekshëm. Mosmbajtja e përgjegjësisë u sanksionua me ligj me Dekretin e 23 qershorit 1789, të miratuar me propozim të Mirabeau (1749-1791), një protagonist i njohur i Revolucionit Francez. Kjo u pasua nga shpallja, në një Dekret të datës 26 qershor 1790, e privilegjit sipas të cilit anëtarët e Asamblesë nuk do të paditeshin pa autorizimin e Asamblesë. Ka qene pikërisht Charles de Montesquieu (1689- 1755), i frymëzuar nga ligji parlamentar anglez, kontribuoi në zbatimin e imunitetit parlamentar në Francë. Sipas tij, ndarja e pushteteve është baza e ligjit të imunitetit. Belgjika, me Kushtetutën e saj e vitit 1831, ishte një nga shtetet e para evropiane që vendosi një regjim parlamentar. Në ditët tona, sipas Zyrës për Promovimin e Demokracisë Parlamentare të Parlamentit Europian, imuniteti parlamentar e merr legjitimitetin e tij nga e drejta themelore e individëve për t’u vetëqeverisur, me objektivin kryesor sigurimin e pavarësisë dhe lirisë së shprehjes, ndërsa imuniteti parlamentar është quajtur nga disa anakronik, i vjetruar ose madje në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës kushtetuese moderne.

ELEMENTËT DHE “DIMENSIONET” E IMUNITETIT

Çdo diskutim mbi imunitetin ngrihet mbi katër pyetje kryesore: Cili përfiton mbrojtje nga ndjekja penale? Cilat akte mbulohen nga imuniteti? Sa zgjat imuniteti nga ndjekja penale i një zyrtari ose politikani? Sa larg shtrihet mbrojtja (psh., deri në përfundim të legjislaturës)?

Llojet dhe fushëveprimi i dispozitave të imunitetit ndryshojnë në vende dhe juridiksione të ndryshme. Një dallim thelbësor mund të bëhet midis juridiksioneve që ofrojnë imunitet për zyrtarët publikë vetëm për aktet e kryera gjatë kryerjes së funksionit të tyre (imunitet funksional) dhe juridiksioneve që ofrojnë imunitet për çdo akt të kryer nga zyrtarët publikë, pavarësisht nëse ato lidhen drejtpërdrejt me funksionin e tyre zyrtar apo jo (imunitet absolut).

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) thekson imunitetin absolut si llojin që ka më shumë gjasa të përdoret në kontekstin e procedurave përkatëse për veprat penale të korrupsionit. Ndër vendet që u ofrojnë zyrtarëve të tyre imunitet funksional, mund të vërehen dy kategori të tjera: mosmbajtja e përgjegjësisë dhe paprekshmëria.

Mosmbajtja e përgjegjësisë është një lloj imuniteti funksional që ofron mbrojtje ligjore për mendimet dhe votat e hedhura në parlament. Mosmbajtja e përgjegjësisë zbatohet pothuajse ekskluzivisht për deputetët dhe nuk mbulon kategoritë e tjera të zyrtarëve publikë. Njihet ndryshe si imunitet i ngushtë.

Lloji tjetër i imunitetit funksional, i njohur si paprekshmëria, u ofron mbrojtje ligjore zyrtarëve publikë jo vetëm për mendimet dhe votat e hedhura, por edhe për çdo veprim që ata kryejnë në funksionin e tyre. Si një dispozitë më e gjerë, paprekshmëria mund të shtrihet jo vetëm te deputetët, por edhe te krerët e shteteve, ministrat dhe zyrtarët e tjerë publikë.

Aspekte kryesore që lidhen me përgjegjësinë penale të ministrave dhe imuniteti sipas OECD: Sipas Komisionit të Venecias, në përgjithësi ekzistojnë tri lloje të përgjegjësisë ministrore: politike, ligjore dhe penale. Në sistemet parlamen tare të nxjerra nga “modeli britanik i Westminster-it”, që gjendet në shumë vende që janë pjesë e Komonuelthit, ministrat zgjidhen nga radhët e anëtarëve të Parlamentit, zakonisht deputetë të lartë nga partia e shumicës ose koalicioni qeverisës. Në këtë grup bën pjesë edhe vendi ynë.

Ndërsa frustrimi rritet në të gjithë botën me ryshfetin politik, korrupsionin dhe skandalet e konfliktit të interesit, rritet edhe frustrimi me faktin se politikanët e dyshuar shpesh mund të gëzojnë imunitet de facto nga vepra penale të tilla. Sondazhe serioze në nivel global (psh., Gallup) të kryera gjatë dy dekadave të fundit konfirmojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve të anketuar e konsiderojnë imunitetin e zyrtarëve publikë nga ndjekja penale si shkakun kryesor të rritjes së korrupsionit në vendin e tyre. Kështu, në shumë pjesë të botës, vetë ideja e imunitetit politik konsiderohet anakronike dhe në kundërshtim me parimet më themelore të kushtetutshmërisë dhe barazisë para ligjit. Kjo sjell në mendje maksimën popullore orwelliane se “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.

Për fat të keq, në një situatë të tillë gjendet momentalisht edhe vendi ynë në rastin e hetimeve penale ndaj znj. Balluku. Në të vërtetë, duket se shumë hetime mbi akuzat për korrupsion në nivel të lartë janë penguar e po pengohen ndjeshëm nga pretendimet për imunitet politik. Shtrirja e imunitetit politik mund të zgjerohet më tej se sa është menduar dhe në raste të tilla politikanët gëzojnë imunitet de facto edhe nga krimet e rënda. Ndërsa dorëheqja nga detyra ministrore si një mekanizëm themelor i llogaridhënies në sistemet demokratike, duke shërbyer si një kryqëzim kritik i ligjit kushtetues, domosdoshmërisë politike dhe etikës personale duket se nuk funksionon… Kjo do të shërbente si një mbrojtje që mbështet normat demokratike, duke përforcuar parimin se ministrat duhet t’i përmbahen standardeve të larta të integritetit dhe kompetencës.

Përvoja e vendit tonë gjatë dekadës së fundit tregon se disa individë që kanë nevojë për mbrojtje ligjore, me qëllim që të sigurojnë imunitet, madje dyshohet gjerësisht edhe se kanë dhënë ryshfet për t’u futur në listat zgjedhore të partive përveçse kanë sponsorizuar në shuma të mëdha financiare fushatën e vet dhe formacionit politik ku bëjnë pjesë. Edhe pse ende të përfunduara dhe larg syve të publikut, ndoshta edhe për shkak të presionit politik në mbrojtje të tyre, disa raste në hetim dëshmojnë për ushtrim të ndikimit të tyre në përfshirjen në listën e kandidatëve për deputetë deri edhe në renditjen e tyre, dmth për kalimin në grupin e “deputetëve të sigurt” të individëve pa asnjë kontribut politik e publik e me të shkuar të dyshimte brenda edhe/ose jashtë vendit. Po kështu, edhe nëse një sipërmarrës i korruptuar nuk është në gjendje të arrijë një post publik, ai mund të përpiqet t’i bashkohet një formacioni politik, i cili duke përdorur mburojën e imunitetit të tij, është në gjendje për ta mbrojtur atë nga ndjekja penale dhe bizneset që zotërohen prej tij nga inspektimet dhe përmbushja e detyrimeve ndaj tatime-taksave. Shkëmbimi i favoreve dhe ryshfeteve është shumë i mundshëm në situata të tilla. Përmes imunitetit politik, politikanët mund të bëhen praktikisht të paprekshëm.

Sipas OECD, sigurimi i zyrtarëve të lartë publikë me imunitete deri në shkallën sa kriminelët shpesh kërkojnë poste publike thjesht për të shmangur ndjekjen penale mundëson një rrezik shumë i lartë për një cikël vicioz korrupsioni; Parlamenti, në sajë të mbrojtjes së tij të privilegjuar, tërheq individë joetikë, të cilët më pas përjetësojnë dhe shtojnë sjelljen korruptive. Për fat të keq, krahas me forcimin e prirjeve autoritariste në qeverisjen e vendit, kjo duket edhe një ndër sfidat e mëdha të Kuvendit të Shqipërisë në dekadën e fundit.

Disa nga aspektet kryesore që lidhen me përgjegjësinë penale për ministrat dhe dispozitat e imunitetit për ta janë:

Përgjegjësia ministrore mund të përfshijë përgjegjësi politike, ligjore dhe penale. Ndërsa ministrat shpesh gëzojnë më pak imunitet sesa krerët e shteteve ose parlamentarët, procedurat e veçanta të shkarkimit mund të veprojnë si imunitete de facto. Kjo mund ta ndërlikojë përpjekjet për t’i mbajtur ministrat përgjegjës. Personalisht jam dyshues se kjo është duke ndodhur aktualisht në rastin e znj. Balluku. Nga sa është bërë publike deri më sot shihet qartë se bëhet fjalë për abuzim të pushtetit diskrecionar, rastet e dyshuara përfshijnë abuzimin e pushtetit të ministrit, keqpërdorim e autoritetit zyrtar për të paracaktuar bashkëpunëtorët “fitues” vendas e të huaj në kontrata të rëndësishme publike, dmth,. veprime jashtë autoritetit të saj/tij ligjor.

Imunitetet ministrore ndryshojnë ndjeshëm në vende të ndryshme, duke filluar nga mbrojtjet absolute deri te mbrojtjet procedurale të kushtëzuara. Ndërsa synojnë të ruajnë funksionet demokratike, ato mund të pengojnë hetimet dhe ndjekjet penale, veçanërisht kur nuk rregullohen qartë ose nuk zbatohen në mënyrë transparente. Edhe në rastin e znj.Balluku, përfshirja e Gjykatës Kushtetuese, që në thelb po vepron brenda kornizës së vet për përcaktimin dhe rregullimin definitive të kufijve midis pushteteve, duket se gjendet nën një trysni të lartë politike, e cila mund të çojë në prishjen e balancës së kontrollit të ndërsjellë të pushteteve dhe në pengimin e ushtrimit të drejtësisë. OECD konstaton se në mjaft raste në, në vende të ndryshme, akuzat përfshijnë mungesë të qëllimit, prova të pamjaftueshme, etj.. Argumentet e bazuara në urdhra të eprorëve ose miratim kolegjial të kabinetit janë të rralla dhe përgjithësisht joefektive në rastet e korrupsionit. Në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë në hetim penal nga SPAK vihet re mbështetje gjerësisht e tyre, përveç hetimeve penale të Byrosë Kombëtare të Hetimit të autorizuara nga SPAK, në dokumente të hapura të institucioneve të tjera shtetërore si KLSH, etj., gjë që u ka dhënë mundësinë qytetarëve dhe palëve të tjera të interesuara të kuptojnë kontrollin politik mbi institucionet e tjera publike “të dorës së parë” me funksion parandalimin dhe denoncimin psh., të konfliktit të interesit si ILDKPI, Policia e Shtetit, Agjencia e Inteligjencës Financiare, etj.. Shqetësuese mbetet zgjatja e hetimeve për disa skandale financiare që lidhen me qindra miliona euro të buxhetit të shtetit – abuzime të dyshuara të zyrtarëve të lartë, gjë që i ka lënë vend rritjes së mosbesimit mbi suksesin e luftës kundër korrupsionit dhe përdorimit gjerësisht të parave të vjedhura nga disa të akuzuar “të mëdhenj” për të helmuar opinionin publik me akuza, thashetheme e shpifje ndaj prokurorëve të posaçëm, që po hetojnë rastet në fjalë.

Në debatin publik vendas kanë zënë vend edhe trajtime të tjera mbi gjoja argumentet e bazuara në ndërhyrje për shkak të “urdhrave të eprorëve” apo të përdorimit të kontratave të mëdha në infrastrukturën publike si “mirënjohje ndaj mbështetjes së huaj” (psh., në rastin e skandalit të tunelit të Llogarasë), apo përpjekjet për të relativizuar dhe mundësisht për të injoruar plotësisht rëndësinë e indicieve hetimore që vijnë nga përgjimet e komunikimeve midis palëve të përfshira në afera korruptive. Mendoj se çështje të tilla e kanë marrë përgjigjen në raste të ngjashme të trajtuara nga Komisioni i Venecias, GJEDNJ, etj., (psh. zbatimi i urdhrave të paligjshëm si përgjegjësi e drejtpërdrejtë e atyre që shkelin ligjin), ndërsa zhurma mediatike që synon të tërheqë SPAK në beteja individësh mbi bazë shpifjesh pa thënë asgjë për thelbin e akuzave (psh., në rastin e ish-kreut të Bashkisë së Tiranës) është një dëshmi tjetër e përmasave të korrupsionit të dyshuar të tyre…

Vlen të theksohet se në të 38 shtetet anëtare të OECD-së, vetëm 4 prej tyre parashikojnë imunitete për ministrat e tyre, në një kohë që të gjitha shtetet sigurojnë që deputetët të kenë një formë imuniteti. Ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë një qasje, duke siguruar që imunitetet të mos pengojnë drejtësinë. UNCAC dhe Komisioni i Venecias rekomandojnë procedura të qarta për heqjen e imuniteteve dhe theksojnë rëndësinë e ruajtjes së llogaridhënies për të parandaluar pandëshkueshmërinë dhe për të përforcuar besimin e publikut. Kurse analiza e kushtetutave të shteteve anëtare të OECD-së tregon se imunitetet për ministrat janë shumë më të rralla se ato që u jepen deputetëve.

Parë në tërësi ecurinë e shqyrtimit të derisotëm të rastit të znj.Balluku dhe veçanërisht dobësitë institucionale e pafuqinë vendimmarrëse që po shfaq Kuvendi i dominuar qartësisht nga KM Rama, edhe ky i dyshuar nga një pjesë e mirë e publikut si i përfshirë në aferat për të cilat po hetohet znj.Balluku, mund të konkludohet se reputacioni i Parlamentit si institucioni përfaqësues i sovranit, legjitimiteti i tij, janë cenuar rëndë. Dmth., në vend që të nxisë demokracinë, mbrojtja e sforcuar dhe më procedura të dyshimta e nën një presion politik shumë të madh e imunitetit të znj.Balluku bën që Kuvendi të ndihmojë për të përforcuar tendencat ekzistuese drejt korrupsionit, duke e kthyer ekzekutivin në një “zone të lirë të korrupsionit” në të cilën abuzimet me pushtetin dhe taksat e qytetarëve nuk mund as të hetohen e aq më pak më të ndëshkohen. Imuniteti i projektuar në Kushtetutën e Shqipërisë për të mbrojtur zyrtarët nga përndjekja politikisht po keqpërdoret kështu për t’i mbrojtur ata nga llogaridhënia, duke shërbyer si një mburojë për pandëshkueshmërinë në rastet e korrupsionit dhe abuzimit të pushtetit nga ministrat, dmth si një “licencë për të shkelur ligjin”. Mosndëshkimi duket se po favorizohet jo vetëm për shkak të imunitetit ligjor, por edhe për shkak të ndikimit politik, presionit të agjencive të zbatimit të ligjit dhe rrezikut të manipulimit të proceseve gjyqësore. Të tilla mund të konsiderohen edhe deklarimet e njohura të KM Rama “për mbajtjen e ishkreut të Bashkisë së Tiranës në burg pa vendim gjykate”, kur dihet botërisht se kërkesat e SPAK për masa shtrënguese në funksion të hetimit penal, ashtu si dhe ankimimet e palëve të akuzuara, shqyrtohen nga GJKKO dhe instancat e tjera të drejtësisë.

Ndërkaq, njoftime të tjera mbi rritjen e masave të sigurisë ndaj disa prokurorëve të posaçëm, duke përfshirë edhe ish-kreun e këtij institucioni mund të lexohen edhe si përfshirje e segmenteve të krimit të organizuar në ushtrimin e presionit mbi drejtësinë e vendit dhe sigurimi i një kundërsulmi të koordinuar të klaneve okulte të zyrtarëve për të cilët janë ngritur akuza penale nga SPAK.

Në të njëjtin drejtim, pra për presion të gjithanshëm mbi drejtësinë, mund të konsiderohen edhe njoftimet e ditëve të fundit për tentativa të një komisioni të Kuvendit për të kryer “një vizitë me qëllim monitorimin në Prokurorinë e Posaçme, në zbatimit të masave kundër pastrimit të parave”, në një kohë që Kuvendi nuk po bën thuajse asgjë për mbështetjen dhe vënien në pozitat e përmbushjes se funksioneve të veta ligjore e kushtetuese të KLSH, ILDKPI, Policisë së Shtetit, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Bankës së Shqipërisë, enteve rregullatore të sektorëve strategjikë, etj..

Studime tona dhe të vendeve të tjera të rajonit provojnë gjerësisht se, kontrolli i korrupsionit, veçanërisht në sektorin publik, nuk mund të promovohet thjesht përmes mekanizmave të fuqishëm të llogaridhënies vertikale. Ekziston një sërë faktorësh të tjerë që hyjnë në lojë, siç janë cilësia e menaxhimit të sektorit publik, natyra e marrëdhënieve të llogaridhënies midis qeverisë dhe qytetarëve, kuadri ligjor dhe shkalla në të cilën proceset e sektorit publik shoqërohen nga transparenca dhe shpërndarja e informacionit. Dmth., kontrolli i korrupsionit ndodh kur politikat publike formulohen dhe zbatohen në një mënyrë universaliste, të paanshme dhe jopersonale duke përfshirë të gjitha dikasteret, agjencitë, institucionet që paguhen me taksat e qytetarëve. Ndërsa refuzimi për të lejuar hetimin e znj. Balluku – siç shkruante me të drejtë prof. Fatos Tarifa – “… është një akt pushteti, jo një akt kushtetues. Në këtë kuptim, Kryeministri nuk po mbron një bashkëpunëtore, ai po riafirmon një model qeverisjeje ku përgjegjësia ndalet aty ku fillon pushteti real”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit