Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për propozimet ligjore të fundit, të cilat ai i cilësoi si një mënyrë për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin, duke i dhënë imunitet zyrtarëve të lartë.
Berisha theksoi se këto ligje shkelin Kushtetutën dhe e kthejnë parlamentin në një instrument për të mbrojtur interesat e grupeve të lidhura me pushtetin.
Ai ftoi qytetarët të protestojnë nesër në Tiranë për të kundërshtuar këtë situatë dhe për të kërkuar drejtësi.
“Edi Rama po merr të gjitha fuqitë me 83 mandate të krimit, dhe ligji që ka paraqitur është një mburojë për të dhe për organizatën që drejton. Ky ligj do të ketë pasoja të mëdha për qytetarët, të cilët do të vidhen nga një grup që nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj tyre. Ky është një grup që sillet si pushtues ndaj shqiptarëve.”
“Ftoj shqiptarët të shprehin guximin dhe vendosmërinë e tyre nesër në rrugët e Tiranës. Vetëm kështu mund t’i vendosim këta para ligjit dhe të mbrojmë pasurinë dhe të ardhmen e qytetarëve.”









