Në seancën e fundit të procesit gjyqësor të çështjes “Plumbi i Artë”, prokurorja Doloreza Musabelliu ka lexuar provat shkresore të dosjes, të cilat përfshijnë materialet që lidhen me aktivitetet e Nuredin Dumanit, një nga të penduarit më të rëndësishëm të çështjes.
Në përshkrimin e saj, Musabelliu theksoi se ishin identifikuar kodet e komunikimeve të “Sky ECC” që disponoheshin nga Dumani, dhe të pandehur të tjerë, përfshirë Henrik Hoxhaj, Aldo Baho, Erjon Alibej, dhe disa persona të tjerë.
Një nga çështjet kyçe që u trajtuan gjatë leximin të procesverbaleve ishin disa ngjarje të lidhura me vrasje dhe atentate, mes të cilave përmenden vrasjet e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, si dhe përgatitjet për vrasjen e Emiliano Ramazanit dhe Indrit Doklen. Po ashtu, u lexuan dhe provat që lidhen me shkatërrimin me eksploziv të shtëpisë së Talo Celës dhe vrasjen e Fatmira Dedjes.
Ndërsa prokurorja e SPAK vazhdonte leximin, avokatët e të akuzuarve ngritën shqetësime për përdorimin e provave shkresore të marra nga komunikimet në platformën “Sky ECC”. Avokatja e Altin Ndocit, i arratisur, kërkoi nga gjykata që të urdhëronte SPAK të depozitojë në dispozicion të mbrojtjes CD-të e provave të marra nga autoritetet franceze, për të verifikuar të dhënat mbi kodet dhe terminologjinë që lidhen me “Sky ECC”. Ajo gjithashtu theksoi se SPAK kishte refuzuar të depozitojë ekspertizën e ADN-së të 2023 për Altin Ndocin, e cila, sipas saj, rezultonte se nuk kishte lidhje me mbetjet biologjike të gjetura në vendin e ngjarjes, për vrasjen e Andi Zylyfit.









