Belind Këlliçi, deputet i Partisë Demokratike, ka shpërndarë një mesazh ku thekson se 35 vjet pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, qytetarët nuk duhet të lejojnë që “Blloku i ri” i privilegjeve dhe korrupsionit të marrë forma të tjera.
Ai i bën thirrje shqiptarëve të bashkohen dhe të mbrojnë atë që është fituar me shumë mund: lirinë dhe drejtësinë.
Postimi i Këlliçit:
Jo shtatore të krimit e korrupsionit, jo Bllokmenë të rinj në Tiranë!
Si sot, 35 vite më parë, studentët, të rinjtë, intelektualët, punëtorët, banorët e Tiranës rrëzuan statujën e Enver Hoxhës, duke hedhur në tokë regjimin 45 vjeçar. Duhej shumë kurajo, sepse trupat famëkeqe të regjimit me armë e skafandra nuk kursenin askënd. Por Tirana ja doli, hoqi pengesën e fundit drejt lirisë.
Ka shumë ngjashmëri, 35 vite më pas. Dhe atëherë, nga fundi i janarit u miratua një ligj që siguronte paprekshmërinë e statujave të regjimit e të diktatorit. Kërkohej me çdo kusht të ruhej Blloku e privilegjet.
Edhe sot, po bëhet gati një ligj që kërkon paprekshmëri për bllokmenët e rinj, për Edi Ramën me të tijtë. Statuja e re, është kopshti i Edenit që Edi Rama ka ngritur në Kryeministri me 4 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.
Statuja e re është vera 33 mijë euro shishja që ai konsumon.
Statuja e re është avioni privat që përdor. Janë biletat e shtrenja në stadiume. Janë fundjavat luksoze për detoks.
Statuja e re e autokratit të ri, janë tenderat qindra milionë euroshe që ndahen sipas interesit. Statujat e reja janë masivet e betonit me para droge e korrupsioni që kanë mbirë ngado.
35 vite më pas, qytetarët, studentët, të rinjtë, banorët e Tiranës janë të thirrur nën të njëjtin urdhër historik, e detyrë kombëtare.
Të mos lejojmë shtatoren e re të krimit e korrupsionit të zërë qiellin tonë, të mos lejojmë Bllokun e ri që kërkon me ligj të ketë paprekshmëri e privilegje.
Nuk i japim ato që u fituan me shumë mundim nga brezi i prindërve tanë.
Bashkohemi sot në orën 18:00, në Bulevard, me energji, me vendosmëri, me pasion e dashuri për Shqipërinë
/5pyetjet.al









