Segmenti i bllokuar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, që pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër goditje të rëndë.
Rruga dytësore, e cila ishte hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar një fundosje dhe rrëshqitje shkatërrimtare të një sipërfaqeje të madhe toke.
Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar seriozisht punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë të pakalueshëm për një kohë të gjatë këtë segment strategjik rrugor.
Bllokimi i këtij segmenti vijon të krijojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave, duke shtuar presionin për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme infrastrukturore.









