Polonia po planifikon të miratojë një ligj të ri që do të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke detyruar platformat të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe duke vendosur gjoba për kompanitë që nuk zbatojnë rregullat.
Ministrja e Arsimit, Barbara Nowacka, tha se projektligji do të paraqitet nga partia në pushtet, Platforma Qytetare, ndërsa synohet që ligji të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027. Sipas saj, niveli i gjobave për platformat që mbeten të aksesueshme për përdoruesit e mitur është ende në diskutim.,shkruan Reuters.
“Po shohim shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, po shohim një rënie të kapacitetit të tyre intelektual”, theksoi ministrja, duke argumentuar se kufizimi synon mbrojtjen e të miturve nga efektet negative të rrjeteve sociale.
Polonia i bashkohet kështu një sërë vendesh evropiane që po shqyrtojnë masa të ngjashme. Qeveri si ato të Danimarka, Greqia, Franca, Spanja dhe Britania e Madhe kanë hapur debat mbi kufizimet për përdorimin e mediave sociale nga të miturit, mes shqetësimeve për varësinë dhe ndikimin në shëndetin mendor. Ndërkohë, Australia miratoi ligje të ngjashme në dhjetor.
Iniciativa polake pritet të përballet me kundërshtime nga gjigantët amerikanë të teknologjisë si Meta dhe X, në pronësi të Elon Musk, disa prej të cilëve kanë kundërshtuar kufizime të ngjashme në vende të tjera.









