Kreu i Organizatës të Muxhahedinëve iranian në Tiranë, Shahriar Kia, ka reagur pas shumë lajmeve të publikuara nëpër mediat e ndryshme lidhur me mundësinë e goditjes me raketa iraniane në kampin Ashraf 3 në Manzë, duke thënë se këto lajme janë propagandë e orkestruar nga regjimi iranian, dhe se nuk ka asnjë mundësi që të sulmohet Shqipëria.
Deklarata e Shahriar Kia
Lajmet e publikuara nga Irani për mundësinë e një sulmi me raketa ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë thjesht propagandë e orkestruar nga regjimi iranian. Kjo po bëhet për qëllime lufte psikologjike, me qëllim krijimin e shqetësimit dhe kaosit në Shqipëri, me qëllim ndjekjen e qëllimeve të veta.
Këto pretendime nuk kanë bazë dhe nuk bazohen në asnjë fakt.
Kjo luftë propagande po kryhet në koordinim të ngushtë midis regjimit iranian dhe agjentëve të tij lokalë në Shqipëri, pikërisht për të rritur rezonancën dhe përhapjen e saj sa më shumë të jetë e mundur.
Është e qartë dhe e pamohueshme se raketat e regjimit iranian nuk kanë kapacitetin teknik për të arritur në Shqipëri.









