Pas fillimit të stinës së pranverës, zjarret në pyjet e Shqipërisë kanë filluar të rrisin shqetësimin.
Një vatër zjarri ka shpërthyer sot pasdite në fshatin Krajkë të Bulqizës, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë shkurresh dhe duke rrezikuar afërsinë e banesave.
Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, ndërkohë që autoritetet lokale janë në gatishmëri për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përhapjen e tij.
Kjo situatë është bërë e zakonshme çdo vit në Bulqizë dhe në të gjithë Qarkun Dibër, ku djegia e tokave për qëllime bujqësore shpesh shkakton zjarre të mëdha që dalin jashtë kontrollit.
Për shkak të pasojave ekonomike dhe mjedisore që sjell ky fenomen, autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin djegien e barishteve, pasi kjo mund të sjellë ndëshkime të rënda ligjore.









