Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas deklaratës së tij që i quajti deputetët demokratë “mërgata e qyqeve në Berlin”.
Bardhi theksoi se pengesat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian janë të lidhura drejtpërdrejt me qeverinë dhe mazhorancën aktuale. Ai shtoi se çelësi për avancimin e procesit të integrimit është respektimi i standardeve europiane dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Vizita treditore në Berlin na bëri edhe më shumë me dije se ku qëndrojnë problemet dhe kush janë pengesat e Shqipërisë në procesin e integrimit. Fatkeqësisht, 100% e pengesave, 100% e problemeve janë shkaktuar nga qeveria dhe mazhoranca aktuale qeverisëse. Integrimi në BE nuk është një çështje propagande, por kërkon standarde reale dhe rezultate konkrete në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe një qeverisje të përgjegjshme, që punon për interesin publik dhe për integrimin e Shqipërisë,” tha Bardhi gjatë një videomesazhi.