Nis protesta e opozitës në Tiranë me kërkesa kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama, formimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Protesta e sotme mbahet në një ditë simbolike për demokratët, duke e lidhur me 22 marsin e vitit 1992, datë historike kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet pluraliste pas rënies së komunizmit. Po ashtu, dita e zgjedhur për protestën përkon edhe me festën e komunitetit bektashi, Sulltan Novruzi.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, këtë tubim e ka cilësuar si “kryengritjen më të madhe paqësore” të opozitës dhe përmes një mesazhi në rrjetet sociale u kërkoi qytetarëve të tregojnë forcën e tyre në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.
Për mbarëvajtjen e kësaj proteste Policia e Shtetit ka vënë në terren rreth 1400 efektivë në gatishmëri, si dhe janë njoftuar bllokime të disa rrugëve në kryeqytet.









