-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Aksidenti tragjik në Drashovicë të Vlorës, 3 viktima

Kryesoret

Një aksident tragjik rrugor ka tronditur mbrëmjen e së dielës zonën e Drashovicës, në aksin Vlorë–Kotë, duke lënë pas tre viktima dhe duke rikthyer në vëmendje rrezikshmërinë e këtij segmenti rrugor.

Ngjarja e rëndë ndodhi përgjatë rrugës së lumit të Vlorës, një aks i frekuentuar nga drejtuesit e mjeteve, ku sipas të dhënave paraprake, dy automjete janë përplasur kokë më kokë.

Përplasja ka qenë e fuqishme, duke shkaktuar dëmtime të rënda në të dy automjetet, të cilat u  shkatërruan pothuajse plotësisht në pjesën ballore.

Si pasojë e goditjes, dy drejtuesit e mjeteve, Adi Alushaj, rreth 30 vjeç, dhe Esat Brahimaj, rreth 40 vjeç, kanë humbur jetën në vendngjarje. Sipas burimeve, përplasja ka qenë fatale dhe nuk ka lënë mundësi reagimi për drejtuesit e mjeteve.

Ndërkohë, pasagjeri në një prej makinave, Andrea Begaj, është nxjerrë nga mjeti në gjendje kritike dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë vetëm pak orë më pas, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga ky aksident i rëndë.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe ambulancat, të cilat kanë punuar për nxjerrjen e personave nga automjetet dhe për dhënien e ndihmës së parë.

Zona është rrethuar për disa orë, ndërsa qarkullimi është bllokuar përkohësisht për të lejuar ndërhyrjen e shërbimeve emergjente dhe kryerjen e veprimeve hetimore.

Grupi hetimor ka nisur menjëherë punën për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit.

Dy të vdekur në Vlorë

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit