E ndërsa dosja e Presidentit të PL-së, Ilir Meta ndodhet në themel, dy avokatët e tij Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima ditën e sotme në një konferencë për mediat nxorën pjesë nga dosja që sipas tyre vërtetojnë se i mbrojturi prej tyre nuk ka lidhje me akuzat. Kujtim Cakrani përmendi në dosje rolet e Ervis Matës, Romeo Kara dhe Kastriot Ismailajt.

“Në fund të 2017 është regjistruar kallëzimi penal i Romeo Kara. Paraqiti një USB, video të zonjës Vojsava Ismailaj dhe ajo aty nuk është se implikon zotin Meta, por lidhjet që ka pasur me zotin Meta Kastriot Ismailaj. Romeo Kara në shkurt të 2012, thotë se Kastriot Ismailaj i ka bërë ofertë për të punuar si menaxher risku.

Ismailaj nuk i ka deklaruar Karasë se Meta ka qenë i përfshirë. Këto janë dëshmitë që ka bërë Romeo Kara. Ervis Mata i ka kërkuar Ismailajt 500 mijë euro që të dëshmonte në procesin që ishte hapur për CEZ-DIA në Arbitrazh. 500 mijë euro ia kishte ofruar CEZ-i sipas tij, dhe Ervis Mata kërkonte 750 mijë euro.

Romeo Kara në kallëzimin e tij nuk ka treguar të vërtetat por ka dalë që si Kara dhe Mata kanë pasur një qëllim ku i kanë kërkuar Ismailajt 500 mijë euro që e kishin nxjerrë në ankand se pala tjetër jepte më shumë. Kallëzimi penal ndaj Metës është i pabazuar” tha Kujtim Cakrani.
Kishte dhe një paralajmërim të fortë. “Ne do na lejoni që në konferencën e radhës do ju nxjerrim një material ku duket qartë me emër dhe mbiemër politikani, i cili do të marri para në dorë nga kjo marrëveshje e famshme që është ÇEZ-DIA, që nuk ka lidhje fare i mbrojturi prej nesh zoti Ilir Meta” tha ai.
“Kastriot Ismailaj tha qartë se mes Ervis Matës, Romeo Karasë dhe tij ka pasur një marrëveshje, marrëdhënie që ishte edhe monetare përveç të tjerash. Vetë prokuroria ka thënë se këta kanë negociuar si do të mbanin qëndrim në Vjenë” deklaroi avokat Gylsen Zhllima.









