Kryetari i komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, lidhur me protestën që do të mbahet sot nga ana e studentëve, ku kërkohet që provimi i Jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, ka shkruar se kjo protestë, është thirrje për vetëdijesim për të gjithë aktorët politik e shoqëror të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend.
“Në shtetet multietnike siç është Maqedonia e Veriut, elitat shoqërore, në veçanti klasa politike ka për detyrë që në vazhdimësi të punojë në ndërtimin politikave të qëndrueshme ligjore e institucionale të cilat do ta reflektojnë karaktetin multietnik dhe frymën e diversitetit të shtetit në çdo sferë të shoqërisë. Politika gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, është rregulluar me një ligj gjysmak. Ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake.
Prandaj protesta është thirrje për vetëdijësim për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend. Në vend të politizimit, bëj thirrje për ndërgjegjësim, sepse protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore të cilat strukturat politike kanë për obligim t’ i trajtojnë në tërësi”, ka shkruar Mexhiti.
Ka pasur edhe nje reagim nga VLEN. “Pas dy dekadash pushtet, BDI vazhdon të fshehë më shumë sesa tregon. Ndërsa kryetari Ali Ahmeti i shkruan vetes letra për gjuhën shqipe, ai hesht për faktin që partia e tij ka blerë një objekt pesëkatësh në qendër të Tetovës, me sipërfaqe prej 1200 metrash katrorë. Ky investim i madh ka ngritur dyshime të forta në opinion, sidomos pas raportimit të BIRN se pas vitit 2022 pasuria e partisë është rritur ndjeshëm.
VLEN prej kohësh ka paralajmëruar se pas retorikës për të drejtat e shqiptarëve, BDI fshihet me interesa të ngushta për pasurimin e elitës partiake. Ahmeti, i zënë me “blej-shit”, nuk ka gjetur kohë të zgjidhë sistematikisht çështjet e rëndësishme për shqiptarët, duke lënë trashëgimi akte të gjysmëzgjidhura që sot i paraqet si arritje.
Opinioni kërkon përgjigje të qarta: A ka qenë ky objekt në pronësi të Telekomit? A është e vërtetë se prona fillimisht iu transferua një personi të afërt, e më pas u shit tek BDI?
Çfarë lidhje ka kjo pronë me aferën “Maxhar Telekom”? Kujtojmë se ish-drejtorë të Telekomit në vitin 2017 pranuan para Gjykatës së Nju Jorkut se kishin paguar 5 milionë euro ryshfet politikanëve të koalicionit qeveritar të LSDM dhe BDI në vitin 2007, për të vonuar liberalizimin e sektorit të telekomunikacionit. Në këtë proces u përmendën emrat e Ali Ahmetit, Musa Xhaferit dhe Abdulahim Kasamit. Nuk ka më hapësirë për viktimizim. Mitet për Ali Ahmetin po rrëzohen si kulla prej letrash. Koha e përgjegjësisë ka ardhur”, thekson VLEN.(INA)









