Pasditen e kësaj së mërkure, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u mbajt Shërbesa e Vajimit të Shenjtë, një ngjarje që përkon me Javën e Madhe të Pashkës Orthodokse.
Ky akt shenjtëror u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani, i cili theksoi rëndësinë e vajimit si një ritual shërues për trupin dhe shpirtin.
Në predikimin e tij, Kryepiskopi Joan u ndal te misteri i aktit të shenjtë të Vajiit, i cili, sipas tij, shëron çdo pësim, ndyrësi dhe ligësi të trupit dhe shpirtit. Ai theksoi se ky vaj është një dhuratë që sjell shërim dhe shenjtërim për ata që i drejtohen me besim.
“O Zot, shenjtëroje këtë vaj, që të bëhet për ata që lyhen për shërim prej çdo pësimi, prej çdo ndyrësie të mishit e frymës, prej çdo ligësie dhe të lavdërohet në emër të Tërëshenjtit, Birit e Shpirtit të Shenjtë”, u shpreh Kryepiskopi Joan.









