Shefja e politikës së jashtme të Bashkimi Evropian, Kaja Kallas, kërkoi që Izraeli të ndalojë sulmet në Liban, duke paralajmëruar se veprimet kanë shkaktuar viktima masive dhe rrezikojnë armëpushimin SHBA-Iran.
Në një postim në X, Kallas shkroi:
“Hezbollahu përfshiu Libanin në konflikt, por kjo nuk justifikon shkatërrimin masiv të jetëve civile. Sulmet e fundit vranë qindra njerëz, gjë që e bën të vështirë të argumentohet se bëhet fjalë për vetëmbrojtje.”
Raportimet tregojnë se të paktën 203 persona humbën jetën gjatë sulmeve të mërkurës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë të godasë Hezbollahun “me vendosmëri dhe precizion”, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj civilëve izraelitë do të marrë përgjigje të ashpër.
Ndërsa Izraeli dhe SHBA argumentojnë se Libani nuk mbulohet nga armëpushimi, Teherani ka paralajmëruar se do ta zbatojë marrëveshjen vetëm nëse sulmet ndalen, duke rritur tensionet në rajon dhe pasigurinë mbi stabilitetin e armëpushimit.









